Arbëri

Në Munih i jepet shtytje dialogut, kërkohet hapja e arkivave për të pagjeturit

Rezultate konkrete në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë kanë kërkuar përfaqësues të Bashkimit Evropian, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Munih, që u përmbyll të dielën. Derisa udhëheqësit e Kosovës kanë shprehur gatishmëri për t’u takuar me palën serbe kurdo që ftohen, ata kanë denoncuar edhe përpjekjet e fqinjit verior për destabilizim të rajonit

Prishtinë, 20 shkurt - Shtytje dialogut Kosovë-Serbi me synim arritjen e një marrëveshjeje finale i është dhënë në margjinat e Konferencës së Munihut. Ndërkaq, diskutime ka pasur edhe për temat që prej kohësh janë duke u trajtuar në dialogun e Brukselit.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, një ditë pas takimit me kryeministrin Kurti, ka thënë se presin përparim konkret në dialog.

“Bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, shkëmbyem tema lidhur me sfidat gjeopolitike që po shohim për momentin dhe implikimet rajonale në Ballkanin Perëndimor. Ne diskutuam gjithashtu hapat e ardhshëm në dialogun Beograd-Prishtinë. Mezi presim progres konkret së shpejti”, ka shkruar Borrell.

E, vartësi i Borellit, që ka mandat ta lehtësojë dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka marrë mbështetje nga sekretari gjerman i Shtetit, Andreas Michaelis, për punën e tij sa i përket lehtësimit të këtij procesi.

“Unë jam mirënjohës për mbështetjen e fortë të Gjermanisë për punën time dhe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Me sekretarin e Shtetit, Andreas Michaelis, fola për zhvillimet dhe sfidat e fundit me të cilat po përballemi në Ballkanin Perëndimor”, ka potencuar Lajçak.

Ndërkaq, kryeministri Kurti edhe nga Munihu është shprehur i gatshëm për takim me palën serbe kurdo që thirren në Bruksel. Ai ka thënë se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe angazhohet për marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke.

Në ditën e fundit të Konferencës, presidentja Vjosa Osmani ka qenë pjesë e panelit ku u diskutua për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, Kosova ka treguar angazhim aktiv duke dhënë propozime konkrete në dialog, teksa ka shtuar se procesi duhet të përqendrohet në njohjen reciproke si e vetmja zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

“Presidentja Osmani, megjithatë, theksoi nevojën e angazhimit të vazhdueshëm në procesin e dialogut dhe potencoi se Kosova e ka dëshmuar gjithnjë konstruktivitetin e saj në proces. Kosova çdoherë ka kontribuuar për paqen dhe sigurinë afatgjate dhe në dialog ka treguar angazhim aktiv duke dhënë propozime konkrete, theksoi presidentja Osmani, duke shtuar se procesi duhet të përqendrohet në njohjen reciproke si e vetmja zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Hapja e arkivave të luftës për zbardhjen e krimeve nga lufta e fundit në Kosovë ka qenë, po ashtu, temë diskutimi të dielën.

panelin ku u fol për drejtësinë tranzicionale, kryeministri Albin Kurti ka përsëritur thirrjen drejtuar Serbisë që t’i hapë arkivat shtetërore.

“Në panelin e Konferencës së Sigurisë në Munih: ‘Të humbur në tranzicion: Sfidat dhe perspektivat e llogaridhënies dhe drejtësisë tranzicionale’ i bëra thirrje Serbisë që të hapë arkivat shtetërore sepse krimet e kryera në Kosovë ishin krime shtetërore. E kaluara nuk ka kaluar ende, meqë krimet e luftës dhe gjenocidi janë ende të mohuara”, ka thënë Kurti. “Na duhet drejtësia tranzicionale që të mund të shërohet shoqëria, dhe që të kemi mundësi për të ecur së bashku përpara, drejt së ardhmes. Në të njëjtën kohë duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre”.

Kurti ngriti çështjen e të pagjeturve me presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Peter Maurerit ka thënë se ia ka treguar përkushtimin e ekzekutivit kosovar për ndriçim të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, si dhe vendosjen e drejtësisë.

“Personat e zhdukur me forcë mbeten plagë e hapur e Kosovës që nga viti 1999. 1.617 persona ende konsiderohen të zhdukur. Progresi në këtë fushë është i një rëndësie të madhe për të gjitha familjet e pikëlluara. Me Peter Maurer ne diskutuam mënyrat se si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq mund të ndihmojë me përvojë dhe ekspertizë”, ka theksuar kryeministri.

Çështja e të pagjeturve vazhdon të jetë ndër temat kryesore në dialogun e lehtësuar nga emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Hapja e arkivave të luftës pati shkaktuar përplasje në njërin prej takimeve të zhvilluara vitin e kaluar në Bruksel. Sipas palës kosovare që kishte pranuar edhe hapjen e arkivave të UÇK-së, për një moment ishte pajtuar ta bëjë këtë edhe delegacioni serb, por në momentin e fundit është tërhequr.

Në përpjekjen për t’i rikthyer palët në tryezë, Kosovën e Serbinë ditë më parë e vizituan emisarët e posaçëm për dialog dhe rajon të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova e Serbia do të kenë një takim të martën në Bruksel, në nivel kryenegociatorësh.

Kriza në Ukrainë pas kërcënimeve të Rusisë me luftë ka qenë temë qendrore në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Rusisë që t’i tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën dhe të punojë për zgjidhjen e krizës në mënyrë paqësore.

Ai tha se grumbullimi ushtarak në dhe përreth Ukrainës është më i madh që prej Luftës së Ftohtë.

Sipas Perëndimit, Rusia ka grumbulluar mbi 150.000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe se Moska po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën.

Moska ka pretenduar se ka nisur tërheqjen e trupave nga kufiri me Ukrainën, por NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk kanë parë sinjale të tilla.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shprehur bindjen se presidenti rus, Vladimir Putin, tashmë ka marrë vendim që ta pushtojë Ukrainën.