Qytetarët e Komunës së Lipjanit po vazhdojnë të vaksinohen në masë të madhe kundër pandemisë COVID-19, ndërkohë që ekipet mobile kanë nisur vaksinimin në terren tek personat me aftësi të kufizuara dhe tek ata që kanë sëmundje të ndryshme shëndetësore. Në kuadër të këtij mobilizimi tashmë janë vaksinuar edhe banorët e Shtëpisë së komunitetit dhe Qendrës së azilit, ndërkohë që do të vaksinohen edhe lëmoshkërkuesit.
Deri tash në Komunën e Lipjanit janë administruar gjithsej 40 mijë e 980 vaksina. Gjatë së martës, njëri nga banorët që ka përfituar nga vaksinimi në shtëpi është vaksinuar edhe 84- vjeçari Nezir Meta së bashku me bashkëshorten e tij në fshatin Krojmir. Meta ka thënë se nuk ka mundur të shkojë në qendrën e vaksinimit shkaku i problemeve shëndetësore.
“Nuk isha në gjendje të shkoj në qendrën e vaksinimit dhe të pres aty për të marrë vaksinën. Pra, nuk mund të pres sepse unë vuaj nga tensioni i lartë i gjakut, prandaj nuk mund të pres dhe vendosa t’i thërras mjekët në shtëpi për vaksinë”, ka thënë Meta, duke falënderuar stafin mjekësor për këtë shërbim.
Izer Sinani, koordinator i Qendrës së Vaksinimit në Lipjan, njëherësh specialist i mjekësisë familjare, ka thënë se me këtë aktivitet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim derisa të vaksinohen të gjithë qytetarët.
“Me ekipe mobile në kujdesin paleativ ne u shkojmë qytetarëve nëpër shtëpi, përkatësisht atyre që nuk kanë mundësi të vijnë në qendër të vaksinimit, te ata që janë me nevoja të veçanta dhe tek ata që janë të lidhur për shtrati ose kanë ndonjë sëmundje të rëndë shëndetësore”, ka thënë Sinani.
Sipas tij, në raste të tilla qytetarët paraprakisht duhet ta bëjnë terminin, në mënyrë që shërbimi të kryhet edhe në shtëpi.
Merita Bytyqi, drejtoreshë për Shëndetësi në Komunën e Lipjanit, ka thënë se në kuadër të këtij shërbimi do të vaksinohen edhe personat që kërkojnë lëmoshë në qytetin e Lipjanit.
“Vaksinimi në terren po vazhdon edhe për persona të tjerët, pra për kategoritë e tjera të cilat i kemi identifikuar pas një takimi që kemi pasur me zyrtarë të Policisë, me përfaqësues të ‘Handikosit’, me përfaqësuesin e Qendrës për Punë Sociale dhe me organizata joqeveritare. Jemi duke i identifikuar edhe lëmoshkërkuesit në mënyrë që edhe ata ta kryejnë procesin e vaksinimit”, ka thënë Bytyqi.
Sipas saj, deri tash 26 mijë e 123 qytetarë janë imunizuar me dozën e parë të vaksinës, ndërsa 14 mijë e 857 qytetarë janë vaksinuar me dy doza.