Arbëri

Në Lipjan më 2020, 3638 fletëparaqitje për gjykatë për shkelje të masave anti-COVID

Inspektorati i Komunës së Lipjanit ka njoftuar të martën se në vitin 2020 ka iniciuar 3 mijë e 638 fletëparaqitje për gjykatë për kundërvajtje të qytetarëve dhe bizneseve që kishin shkelur masat anti-COVID.

Në një raport të punës për vitin e shkuar, Inspektorati në Lipjan ka thënë se ka mbyllur nëntë lokale afariste, ndërsa janë lëshuar 1244 vendime për vetizolim të qytetarëve. Janë monitoruar 31 ceremoni të varrimeve si pasojë e pandemisë.

Ndërkohë, sipas raportit të inspektoratit për gjoba mandatore qytetarët dhe bizneset për shkelje të ndryshme janë ndëshkuar në vlerë prej 23 mijë e 750 euro.

Përveç këtyre, inspektorët sanitar gjatë vitit të kaluar kanë bërë edhe inspektime në bizneset ushqimore derisa vlera e asgjësuar e mallit arrin vlerën financiare prej 36 mijë e 646 eurosh.

“Në fillim të pandemisë, aksioni jonë ka qenë inspektimi dhe kontrollimi i mullinjve duke i verifikuar njësitë matëse. Ju kemi bërë presion të gjithë pronarëve që mos ta ngritin çmimin e miellit me që disa tentuan ta bënin. Kështu filloi edhe paniku i qytetarëve duke tentuar që të sigurojnë me shumicë miell për më shumë se një vit. Paniku në mes të prillit filloi të hiqet pasi që garantuan pronarët e mullinjve për sasi të miellit. Për shkak të mosrespektimit të dy furrave të bukës me ngritje çmimi, i kemi gjobitur të dy furrat dhe ua kemi kthyer çmimin në 0.3 euro sa ka qenë më herët”, thuhet në raportin e Inspektoratit.

Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në komunën e Lipjanit, ka thënë se gjatë vitit të kaluar qëllimi kryesor ka qenë parandalimi i përhapjes së virusit në territorin e komunës, pastaj siguria ushqimore me produkte, parandalimi i ngritjes së çmimeve si dhe kontrabandimit me artikuj ushqimorë nga tregtarët e pandërgjegjshëm.

“Po ashti qëllim kryesor ka qenë edhe sigurimi si dhe kontrolle strikte ndaj produkteve sanitare-higjenike, antibiotiket në të gjitha barnatoret e në veçanti alkooli, maskat dhe dorëzat për dezinfektim si dhe kontrabandimi i tyre. Pastaj si qëllim tjetër kemi pasur parandalimin e tubimeve (dasmave, ahengjeve si dhe ceremonive fetare), mbrojtjen e mjedisit nga qytetarët e pandërgjegjshëm, sigurimi edhe menaxhimi i transportueseve urban në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së 50 për qind më pak udhëtar”, ka thënë Rrustemi.

Sipas tij, inspektorati gjatë vitit të kaluar është angazhuar edhe në parandalimin e ndërtimeve pa leje dhe mbrojtjen e parcelave bujqësore.