Arbëri

Në komuna ngec zbatimi i rregullores për pushim të dielave

Pandemia ka ndikuar që të mbetet e pazbatuar iniciativa e komunave në rajonin e Ferizajt për hartimin e një rregulloreje për rregullimin e orarit të punës së bizneseve me qëllim që ato të pushojnë gjatë të dielave dhe festave zyrtare.

Por bizneset në Komunën e Ferizajt po vazhdojnë të kërkojnë që të zbatohet vendimi i Kuvendit Komunal për të pushuar të dielave.

Thonë se qëllimi i tyre është mbrojtja e të drejtave të punëtorëve.

“Ai pushtet, por edhe ky pushtet sot dhe ai që ka qenë, nuk janë të interesuar t’i ndihmojnë kësaj klase punëtore që ta kenë së paku një të diele pushim për të shkuar nëpër miq. Pushimet dikush i marrin të shtunën, dikush të dielën, dikush të hënën e dikush të martën, por kjo është katastrofë për klasën punëtore. Aq shumë është e shkelur klasa punëtore, lëre që jemi duke i shkelur me paga, por është faji i pushtetit jo faji jonë”, ka thënë Sylejman Neziri, përfaqësues i një biznesi.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Ferizajt, Balton Dërguti, ka thënë se Komuna e ka vullnetin për ta zbatuar këtë rregullore, por një gjë e tillë vështirë se mund të ndodhë deri në përfundim të pandemisë.

“Kjo rregullore nuk ka mundur të implementohet për shkak se menjëherë pas vendimit për miratimin e saj është përhapur pandemia Covid 19. Duke e pasur parasysh se kjo pandemi ka shkaktuar dëme të mëdha në bizneset e Ferizajt, konkretisht edhe me mbylljen e tyre dhe me masat kufizuese të orarit të bizneseve, kur e dimë se me javë të tëra nuk kanë pasur të drejtë të punojnë”, është shprehur Balton Dërguti, drejtor për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Ferizajt.

Kjo rregullore ishte iniciuar edhe në Lipjan e Shtime.

“Në tre mujorin e parë të vitit 2020 është mbajtur diskutimi publik lidhur me këtë rregullore, ku kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i bizneseve dhe qytetarëve. Si e tillë, rregullorja në fjalë i ka kaluar të gjitha procedurat ligjore , mirëpo për shkak të situatës me pandeminë është pezulluar si proces ku parashihej të vazhdohej tutje”, ka thënë Valon Pacolli, drejtor për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Lipjanit.

Sipas Kastriot Shabanit, drejtor për Zhvillim Ekonomik në Shtime, Kuvendi komunal do ta rishqyrtojë këtë mundësi.

“Ne sapo kemi filluar, është java e tretë që e kemi marrë detyrën këtu. Po mendojmë të kemi bashkëpunim edhe me kryetarin dhe kemi me futë në agjendë që dita e diele të jetë ditë pushimi edhe për Komunën e Shtimes”, ka thënë ai.

Sipas këtyre rregulloreve, gjatë festave dhe ditëve të diela do të mund të punojnë vetëm furrat e bukës, pompat e derivateve dhe disa biznese të caktuara.