Pavarësisht rritjes së numrit të pacientëve me sëmundje malinje dhe zgjerimit të trajtimeve onkologjike, Klinika e Onkologjisë vazhdon të përballet me mungesë të stafit specialistik. Drejtuesit e saj thonë se kapacitetet aktuale nuk mjaftojnë për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave të pacientëve. Thonë se kanë kërkuar vazhdimisht shtim të personelit por SHSKUK-ja ende nuk ka hapur konkurs për punësime të reja.
Mungesa e kuadrove të reja në Klinikën e Onkologjisë vazhdon të mbetet sfidë për trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje, kanë thënë drejtuesit e saj.
Aktualisht, në këtë klinikë janë të angazhuar 13 onkologë dhe pesë specialistë të radioterapisë, të cilët ofrojnë trajtime radioterapeutike për pacientët me kancer.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se kapacitetet aktuale njerëzore vështirësojnë përmbushjen e plotë të kërkesave që janë në rritje për trajtim.
“Duke pasur parasysh incidencën e sëmundjeve malinje, zgjerimin e indikacioneve terapeutike, kompleksitetin e trajtimeve bashkëkohore onkologjike dhe rritjen e mbijetesës së pacientëve me kancer, numri aktual i specialistëve paraqet sfida për përmbushjen optimale të të gjitha nevojave të pacientëve. Për këtë arsye, forcimi i kapaciteteve njerëzore mbetet një prioritet i vazhdueshëm i Klinikës së Onkologjisë”, tha Kurtishi.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për shtim të personelit, deri më tani nuk është hapur asnjë konkurs për punësimin e onkologëve të rinj.
Për çështjen e rekrutimit në klinikat e QKUK-së përgjegjëse është SHSKUK-ja, që është organizatë ombrellë e QKUK-së dhe spitaleve rajonale.
Kurtishi ka bërë të ditur se kërkesat për shtim të stafit i janë adresuar vazhdimisht menaxhmentit të QKUK-së dhe institucioneve përgjegjëse.
“Klinika e Onkologjisë ka adresuar vazhdimisht nevojat për staf specialistik pranë menaxhmentit të QKUK-së dhe institucioneve përgjegjëse. Njëkohësisht, janë mbështetur proceset e specializimit në Onkologji dhe Radioterapi, si dhe është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme plotësimi i vendeve të lira të punës për specialistë. Po ashtu, Klinika e Onkologjisë ka paraqitur kërkesa zyrtare për plotësimin e stafit specialistik përmes kanaleve institucionale dhe në përputhje me procedurat administrative në fuqi”, tha Kurtishi.
Sipas tij, në pritje të punësimit janë tre mjekë që kanë përfunduar specializimin në Onkologji, si dhe një specialist i Radioterapisë.
KOHA ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për të kuptuar pse kërkesat zyrtare të Klinikës së Onkologjisë nuk janë reflektuar në hapjen e konkurseve të reja dhe cilat kanë qenë arsyet e mosveprimit por që nga e mërkura nuk ka marrë përgjigje.
KOHA kishte raportuar javë më parë se, ndonëse në vitin 2024 ishte marrë vendim që në Onkologji të punohej me dy ndërrime, vendimi ende nuk po zbatohet.
Si pasojë, pacientët vazhdojnë të presin që nga ora katër e mëngjesit për të marrë terapinë e kimioterapisë.