Prishtinë, 10 janar – Banorët e fshatit Stanishor të Novobërdës janë në hall me pluhurin dhe zhurmën. Tash e 12 vjet, nëpër fshatin e tyre kalojnë kamionët që bartin material nga afro 10 gurthyes që ndodhen përreth.
Pesha e rëndë e tyre ka dëmtuar rrugën, trotuarin dhe kapakët e kanalizimit të ndërtuar ka pak vjet.
Eshref Jakupi, banor i këtij fshati flet me mllef për dëmet që po u shkaktojnë këta gurthyes që ndodhen pranë shtëpisë së tij.
“Prej kur kanë ardhur shqetësimi im është jashtë çdo normale. Në shtëpinë time nuk mundem të jetoj as brenda as jashtë. Pemët të gjitha kanë shkuar posht, edhe mollët, edhe dardhat, edhe mjedrat, të gjitha kanë shkuar posht… Kam bërë ankesa, kanë ardhur gjoja e kanë këqyrë, kanë shkuar kanë hëngër dreka, kush gjë s'ka bërë”, ka thënë ai. Ai dyshon se veprimtaria e tyre po bëhet jashtë kushteve të licencimit.
Parregullsi për lëshim të licencave dhe operim të gurthyesve në gjithë Kosovën ka shpalosur Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e së cilës thuhet se vetëm gjatë 2019 nga Inspektorati i KPMM-së janë përcjellë 47 kallëzime penale dhe janë përgatitur 54 aktvendime për gjoba administrative lidhur me operimet jashtë kushteve të licencës së shfrytëzimit.
Ahmet Govori, një banor tjetër i fshatit Stanishor, ngrit dyshime për lidhjen e gurthyesve me politikën, pasi siç thotë ankesat e tyre nuk janë marrë fare parasysh.
“Këtu janë 10 gurthyes, që operojnë në mënyrë legale dhe që po shkatërrojnë çdo gjë. Këta e kanë shkatërruar fshatin. Këtu kalojnë mbi 1000 kamionë në ditë në një drejtim, kanë shkatërruar me rrugë, me trotuar dhe gjithçka, por mbi të gjitha, këta e kanë shkatërruar natyrën. Këta janë njerëz të politikës”, ka thënë Govori.
Dy vjet më parë Komuna e Novobërdës kishte premtuar një rrugë alternative që do të shmangte kalimin e këtyre kamionëve nëpër fshat, por rruga nuk është bërë.
Ndërkohë, Bashkim Veseli nga gurthyesi “Agi-Dani” ka thënë për KOHEN se janë të pajisur me gjitha dokumentacionet dhe se veprimet e tyre i bëjnë në përputhje me legjislacionin. Për rrugën alternative ka thënë është përgjegjësi e Komunës, e jo e kompanive që ta bëjnë atë.
“Ne tashmë kemi shtruar rrugën dhe e mirëmbajmë atë. Çdo herë e bëjmë pastrimin e saj dhe pas shtrimit të rrugës pluhuri është pakësuar për 50 për qind. Për rrugë, nuk është përgjegjësi jona. Por, të gjitha veprimet tona janë ligjore dhe nuk ka asgjë të jashtëligjshme aty”, ka theksuar ai.
KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga kryetari i Novobërdës, por ai nuk është përgjigjur në e-malin e dërguar të premten.
Ndërkohë nga Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM) përveç që kanë treguar për licenca të kompanive që veprojnë në atë pjesë, nuk janë përgjigjur në pyetjet nëse është monitoruar veprimtaria e këtyre gurthyesve apo nëse janë tejkaluar kushtet e licencës nga këto kompani.
255 kallëzime penale për 4 vjet
Zyra kombëtare e Auditimit ka konstatuar se për katër vjet (2016-2019), Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale ka dorëzuar në prokurori 255 kallëzime penale për zhvillimin e aktiviteteve minerare pa licenca apo leje.
Përveç tyre, Inspektorati i KPMM-së ka lëshuar edhe 198 aktvendimet për gjoba administrative të shqiptuara nga Inspektorati i KPMM-së gjatë viteve 2016-2019 për zhvillimin e aktiviteteve minerare pa licenca apo leje.
“Përgjatë viteve 2016-2019, janë evidentuar 453 raste ilegale të nxjerrjes së mineraleve të gurit të fortë, rërës dhe zhavorrit”, thuhet në raportin e Auditorit.
Në raport po ashtu thuhet se MEA-ja dhe KPMM-ja nuk kanë një koordinim dhe bashkërendim të aktiviteteve për shfrytëzim të mirë dhe strategjik të mineraleve ndërtimore e industriale në vend.
“Nuk shfrytëzohen mineralet në mënyrë strategjike varësisht nga nevojat dhe ku janë të koncentruara. Komisioni për Miniera dhe Minerale ka sistem të licencimit dhe lejeve për shfrytëzimin e mineraleve ndërtimore, i cili po përcillet me mangësi dhe me mungesë të efikasitetit”, thuhet në raport.
Sipas tij, pas lëshimit të licencave nga KPMM-ja, në mungesë të koordinimit më MEA-në është vështirësuar mbrojtja e mjedisit nga kjo veprimtari.
“Operatorët ekonomikë operojnë pa plotësuar kriteret dhe pa ofruar siguri të mjaftueshme në vendin e nxjerrjes së mineraleve ndërtimore. Madje edhe gjatë licencimit nuk plotësojnë disa nga kriteret siç janë kriteri i afërsisë nga rruga, mungon programi adekuat për rehabilitimin e zonës së shfrytëzuar. Kjo tregon për sistemin e licencimit jo mjaft funksional dhe të pasigurt”, thuhet në raport.
Për këtë, KPMM ka thënë për KOHËN se këtë shqetësim e kanë ngritur me kohë dhe se kanë hartuar një Udhëzim Administrativ që pritet ta nënshkruajnë të tri palët lidhur me këtë çështje KPMM-APK-MMPH, që mos të ketë tri projekte nga tri institucione, por që kanë qëllim një proces ri-kultivimi.
“Programet e rehabilitimit të zonës së shfrytëzuar janë çështje që janë rregulluar me shume ligje, por se ka mospërputhshmëri kjo është evidente sepse VNS (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis i kontrolluar nga MMPH) është raporti i cili parasheh ri-kultivimin dha pa këtë program ndërmarrja nuk mund të pajiset me pëlqim Mjedisor, i cili me pastaj është kriter për ta plotësuar shqyrtimin e licencës se shfrytëzimit”, thuhet në përgjigje.
Sipas KPMM-së, kur kësaj i shtohet edhe programi për rikultivim kur në shumë raste Agjencia e Pylltarisë së Kosovës është pronare apo kultura bujqësore është “mal” atëherë kjo kërkon program ri-kultivimi shtesë edhe nga APK-ja.
Aty nxirren dyshimet se si ndërtimi i rrugëve publike është bërë me minerale të nxjerra ilegalisht. Thuhet se palët përgjegjëse nuk kanë koordinim mes vete që të parandalojnë këtë dukuri.
Sipas ZKA-së, KPMM-ja nuk ka arritur të mbajë përgjegjës operatorët ekonomikë (OE) që të bëjnë rikultivimin e zonave nga të cilat janë shfrytëzuar mineralet ndërtimore e industriale.
“Konfiskimi i mjeteve nga sigurimi bankar nuk ka dhënë rezultat madje ka nxjerrë në pah dobësitë në organizimin e sistemit të KPMM-së. Si rezultat, zonat e shfrytëzuara mbesin të parikultivuara dhe paraqesin rrezik për njerëzit dhe kafshët dhe njëkohësisht dëmtojnë ambientin”, thuhet në raport.
Po ashtu, thuhet se Inspektorati i KPPM-së nuk ka bërë punën si duhet për sekuestrimin e pasurisë minerale të nxjerrë/shfrytëzuara jashtëligjshëm dhe pajisjet me të cilat është shfrytëzuar kjo pasuri.
ZKA konstaton se Inspektorati i KPMM-së nuk ka marrë masa të duhura ndaj OE-ve të cilët shfrytëzojnë mineralet në mënyrë të jashtëligjshme, duke mos aplikuar dispozitat ndëshkuese sipas infrastrukturës ligjore ndaj OE-ve ilegale.
“Nuk janë marrë masat e nevojshme ndaj OE-ve të cilët nuk plotësojnë kriteret dhe nuk ofrojnë siguri gjatë aktivitetit minerar. Inspektorati i KPMM-së, edhe pse i obliguar që të ndërpresë punimet në rastet kur vlerësohet rrezik gjatë aktiviteteve minerare, një gjë të tillë nuk e ka realizuar”, thuhet në raport.
Por, nga KPMM kanë thënë se raporti i ZKA-së ka nxjerrë në pah vetëm ato raste kur ndërmarrjet të cilat kanë pasur një gjobë me herët por në planin operativ të përbashkët kanë identifikuar se si objekt ekziston, i cili nuk ka qenë duke punuar, por edhe i cili nuk është licencuar ende, u janë vendosur shiritat për ndërprerjen e aktivitetit punues ashtu që të mos kenë të drejte pune, por të cilëve nuk u janë lëshuar masat penalizuese - gjoba.
Inspektorët nuk përcjellin vërejtjet për operatorët ilegalë
Raporti i ZKA-së po ashtu thotë se Inspektorati nuk ka përcjellë vërejtjet e lëshuara nga OE ilegale dhe atyre legale dhe për pasojë, nuk dihet nëse këto vërejtje janë zbatuar.
Por, sipas KPMM-së, raporti ka gjetur se inspektorati nuk ka mundur t’i përcjellë të gjitha, për shkak të angazhimeve të mëdha në terren dhe numrit shumë të pakët të personelit nga Inspektorati i minierave.
“Ne vazhdimisht kemi bërë kërkesa për rritjen e stafit për realizimin e këtyre të gjeturave duke pasur parasysh shtimin e licencave dhe aktiviteteve te shfrytëzimit për çdo vit. Vërejtjet të cilat kanë qenë më tepër të ndjeshme natyrisht se janë inspektuar vazhdimisht jo vetëm me raporte, por edhe gjatë inspektimeve të jashtëzakonshme në terren”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së.
ZKA-ja po ashtu ka konstatuar se Inspektorati i KPMM-së nuk kishte arritur që të përcjellë vërejtjet e lëshuara ndaj OE-ve ilegale dhe atyre legal dhe për pasojë nuk dihet nëse këto vërejtje janë zbatuar.
Mes tjerash thuhet se Inspektorati nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbajtur përgjegjës OE-të ilegale që rikultivojnë/rehabilitojnë zonën e dëmtuar ku janë shfrytëzuar mineralet.
Raporti nxjerr në pah se si Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka bërë lëshimin e lejeve mjedisore me pëlqime mjedisore pa marrë në konsideratë zbatimin e kushteve dhe periudhën e vlefshmërisë së pëlqimeve mjedisore.
“OE janë pajisur me leje mjedisore pas fillimit të aktiviteteve minerare në periudhë tre dhe pesë vjet dhe kjo tregon se nuk janë zbatuar kriteret për mbrojtjen e ambientit. MEA-ja nuk ka koordinim brenda departamenteve të saj lidhur me çështjen e mjedisit dhe nuk po bën mjaftueshëm për të mbajtur përgjegjës OE që të raportojnë mbi monitorimin e gjendjes së mjedisit nga aktivitetet minerare”, thuhet në raport.
Mungesa e monitorimit sipas ZKA-së rezulton me ndotje evidente të mjedisit. Inspektorati i MEA-së, sipas ZKA-së, nuk ka bërë aplikimin e gjobave gjatë identifikimit të operimeve të cilat zhvillojnë aktivitetin minerar pa pëlqime mjedisore dhe pa leje mjedisore dhe të cilat bëjnë ndotje dhe degradim të ambientit.
Sipas ZKA-së, Inspektorati ka dhënë vërejtje për t’u pajisur me dokumentacionin përkatës, mirëpo nuk ka arritur të bëjë përcjelljen e këtyre vërejtjeve nëse po zbatohen brenda afateve kohore të përcaktuara.