Arbëri

Në Gjilan qytetarët u kthyen pa u vaksinuar

Të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit, që shkuan paraditen e së hënës për të marrë vaksinën kundër COVID-19, u kthyen pa të.

Kjo për shkak se në qendrën e vaksinimit në këtë komunë ka rënë sistemi i internetit, dhe si shkak i kësaj nuk kanë mundur t’i fusin të dhënat e qytetarëve në sistem.
Këtë arsyetim e ka dhënë edhe Drejtoria e Shëndetësisë në Gjilan, të cilët thanë se si shkak i mosfunksionimit të platformës SISH, deri në orën 13:00 nuk është vaksinuar asnjë qytetar.
Por nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se nuk ka pasur rënie sistemi në Gjilan, por është çështje e përcjelljes së procedurave standarde të administrimit të vaksinave.

“Nuk ka rënë sistemi as në Gjilan dhe as në ndonjë komunë tjetër. Janë çështje të përcjelljes së procedurave standarde të administrimit të vaksinave (nga marrja në stok e deri tek administrimi tek qytetari), ato që duhet të respektohen për të mos krijuar ndonjë vështirësi teknike, por të cilat edhe nëse shfaqen zgjidhen me ndihmën e zyrtarëve kompetentë të MSh-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

E tash e disa ditë jo të gjithë personat që dëshirojnë të imunizohen po arrijnë ta bëjnë këtë.
Pasi që në platformën eKosova shkruan se Ministria e Shëndetësisë nuk ka terminë të lirë.
Në sallën “1 Tetori”, e cila edhe është qendra më e madhe e vaksinimit në Kosovë, jo të gjitha sportelet ishin funksionale.

Gjatë së hënës në këtë qendër nuk është prononcuar askush, me arsyetimin se koordinatori i saj, Niman Bardhi, gjendet në një takim.
Derisa qytetarët që kishin shkuar aty për t’u vaksinuar thanë se nuk kanë pasur ndonjë shqetësim.

“Unë nuk kam pasur asnjë problem kur e kam marrë dozën e parë të vaksinës”, ka thënë Salih Sefa, qytetar.
Ankesa të shumta ka pasur nga qytetarët e komunave të ndryshme, se ndonëse po aplikojnë në platformën eKosova, ata nuk po kontaktohen nga Ministria e Shëndetësisë, ndonëse u përkasin kategorive primare për vaksinim.

Vaksinimi i qytetarëve, u diskutua edhe në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale.

“Po shohim të rinj dhe të reja që në mënyrë të parregullt po vaksinohen, nuk e dinë sa qytetar janë vaksinuar në mënyrë institucionale në Kosovë”, ka deklaruar Armend Zemaj, deputet i LDK-së.
Nga 15 qershori, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka nisur vaksinimin masiv, dhe se synohet vaksinimi i 500 mijë personave në muaj.
Po ashtu këtë javë është paralajmëruar edhe ardhja e kontingjentit të parë të vaksinave nga blerja e më shumë se 1 milion dozave nga kompania “Pfizer”.

E gjatë 24 orëve të fundit, sipas MSh-së, asnjë person nuk ka vdekur nga COVID-19 e 4 persona kanë rezultuar pozitivë e janë dhënë 1 mijë e 365 doza të vaksinës.