Mësimdhënësja e edukatës fizike, Xhyla Hoti-Korpuzi, ka kapitalizuar kontributin e saj 40-vjeçar për lokalitetin dhe vendin me marrjen e postit të kryetares së fshatit Shalë, Komuna e Lipjanit. Banorët janë të lumtur me zgjedhjen e saj dhe presin që projektet për fshatin të mos kenë të ndalur
Xhyla Hoti-Korpuzi njihet si sportistja e parë në Komunën e Lipjanit. Tash e tutje do të njihet edhe si kryetarja e parë e një fshati.
Mësimdhënësja e edukatës fizike ka fituar besimin e banorëve të fshatit Shalë dhe ajo është e bindur se pos përkrahjes, ka edhe përvojën për t’i shtyrë përpara projektet e fshatit. Dhe sipas saj, fshati ka nevojë për shumë investime.
Ajo është mësimdhënëse e edukatës fizike në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Ibrahim Banushi” në Shalë dhe shumë prej nxënësve të saj, tash do t’i ketë bashkëpunëtorë në Këshillin e fshatit.
“E kam marrë këtë funksion me dëshirë, sepse e kam edhe një bagazh nga e kaluara. Kam qenë kuvendare më herët prej vitit 2002 deri më 2007 dhe e di se çka është rëndësia e interesit shoqëror. Të gjitha ato kërkesa të banorëve do t’i barti në Komunën e Lipjanit. Jam zgjedhur së bashku me një staf shumë të mirë, ku bëjnë pjesë nxënësit që i kam mësuar vetë, andaj kësaj pune do t’ia dalë pa pikë problemi”, ka thënë Korpuzi.
Ajo shpjegon se ka qenë pjesëmarrëse edhe në një shoqëri kulturo-artistike para luftës, ndërkohë gjatë shkollimit thotë se ishte reprezentuese në atletikë në nivel të vendit.
“Në Shalë kam kontribuar që prej 36 vjetësh dhe besoj se do të kontribuoj edhe në të ardhmen. Në këtë shkollë punoj prej 37 vjetësh si mësimdhënëse e edukatës fizike, andaj ne marrim kupa për çdo vit në gara komunale, regjionale por edhe në nivel të vendit, sepse nxënësit tanë janë më të dalluarit në këtë fushë”, ka shtuar ajo.
Hoti-Korpuzi thotë se fshati ka nevojë për investime të shumta si në rregullimin e ujësjellësit, kanalizimit, ndriçimit publik, asfaltim të rrugëve e rrugicave e të tjera.
Tregon se kërkesat e banorëve janë gati për t’u përcjellë në komunë, sidomos ai për ujë të pijshëm. Thotë se ka nevojë për intervenim edhe riparim të rrjetit të kanalizimit.
“Së bashku me këshillin e fshatit do të angazhohemi për të qenë zë i fuqishëm i qytetarëve në adresimin e kërkesave të tyre drejt komunës dhe institucioneve të tjera përkatëse”, ka shtuar ajo.
Kontributi në kohën e okupimit dhe gjatë luftës u vlerësua nga banorët
Mësimdhënësja prej kohësh ka marrë edhe ofertën që të jetë pjesë edhe e Grupit të Grave të Komunës së Lipjanit.
Safete Amerllahu, anëtare e këtij grupi të Grave ka thënë se grave duhet t’u jepet sa më shumë mundësia për të kontribuar në procese të ndryshme dhe në vendimmarrje. Sipas saj, grupi është mjaft funksional, andaj në vazhdimësi punohet për t’i mbrojtur të drejtat e tyre.
“Mësimdhënësja Xhyla, është shumë e zonja, sepse ka 37 vjet që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Shalën. Tash është gruaja e parë në krye të këshillit të një fshati në Komunën e Lipjanit. Andaj si grup i grave kërkojmë që ky shembull të jetë edhe për qytetet dhe fshatrat e tjera të Kosovës”, ka thënë Amerllahu.
Banorët e fshatit Shalë e vlerësojnë shumë kontributin e kryetares së re. Ata kujtojnë kohën kur gjatë okupimit serb, kishte mësuar fëmijët pa pagesë vetëm që ata mos të mbesin mbrapa me procesin arsimor.
Muhamet Korpuzi mendon se banorët e Shalës do të përfitojnë një varg projektesh kapitale nga Komuna, por edhe nga organizatat e ndryshme falë punës që pret të bëjë kryetarja.
”Xhyle Korpuzi besimin e ka fituar, sepse që nga vitet e 90-ta ka qenë një ndër aktivistet më të dalluara në kuadër të shoqatës së gruas dhe aktivitetet e saj kanë qenë të llojllojshme. Asnjëherë nuk ka hezituar që të jetë përkrah grave dhe burrave shaljanë. Në vitet e ‘90-ta okupuari serb na largoi nga procesi edukativo arsimor dhe mësimdhënësja Xhyla, asokohe me vetëdëshirë si gjithë mësimdhënësit e tjerë, ka pranuar që të punojë pa para vetëm për të kontribuar në edukimin e brezave”, ka thënë Muhamet Korpuzi.
Sipas tij, mësimdhënësja ishte përkrahëse e madhe e të gjitha ndryshimeve të asaj kohe në politikë, por edhe përkrahëse e studentëve dhe e minatorëve.
Gjyla Korpuzi do të vazhdonte me aktivitete në dobi të çështjes kombëtare edhe kur nisi lufta më 1998.
Ajo ndihmoi edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Në kohën kur nuk kishte uniforma Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mësimdhënësja Gjyla, së bashku me bashkëshortin e saj, kanë bërë prerjen e tyre duke u bazuar në dy modele të pantallonave dhe xhaketës. Pastaj ato uniforma u qepën nga aktivistet tjera siç është edhe Mevlide Shamolli”, ka thënë banori i fshatit, Muhamet Korpuzi. “Është edhe një detaj tjetër për mësuesen Gjyla pasi që nga data 3 prill deri më 13 qershor 1999, ishim në malet e Shalës dhe kjo pati organizuar rininë dhe nxënësit që të mos mbajnë mendjen te granatimet. Organizoi lojëra sportive dhe aktivitete të tjera. Tash sa i përket zgjedhjes si kryetare e fshatit, ajo e ka përkrahjen e gjithë banorëve, sepse femra shqiptare duhet të jetë e barabartë”.
Banorët flasin me mburrje për të drejtat e barabarta të grave
Banorët e këtij lokaliteti mburren se barazia gjinore në këtë lokalitet është dëshmuar tash e sa kohë.
Shefki Kadriu, banor i këtij fshati, thotë se zgjedhja e saj është mirëpritur kudo.
“Është rast i rrallë dhe është hera e parë që në Shalë, një grua mësimdhënëse, nënë e gjashtë fëmijëve është zgjedhur kryetare e fshatit. Fshatarët e kanë pritur mirë zgjedhjen e saj, sepse po të mos e kishin pranuar nuk do ta kishin dhënë miratimin”, ka thënë Kadriu.
Sipas tij, gratë e këtij lokaliteti merren edhe me aktivitete të ndryshme derisa kanë edhe përkrahjen e burrave, pastaj shumë prej tyre janë të punësuara në institucione publike e private.
Ai thotë me mburrje se gratë e fshatit kanë çdo lloje të drejte që buron nga një demokraci e madhe.
“Pra, gratë i kanë të gjitha të drejtat në këtë regjion. Për ndryshe janë të lira dalin nëpër restauronte, dalin rrugëve shëtisin dhe askush nuk i pengon. Ne burrat mos të them, se jemi nën hijen e tyre”, ka thënë Kadriu.