Arbëri

Në Ferizaj po pastrohen nga mbeturinat lumenj e kanale kulluese për parandalimin e vërshimeve

Gjatë viteve të kaluara banorët e fshatrave: Greme, Talinoc i Muhaxherëve, Rahovicë, Gurëz, Tërnë, Pleshinë dhe disa lokalitete të tjera të komunës së Ferizajt, janë përballur me vërshime si pasojë e e lumenjve dhe kanaleve kulluese nëpër lagje dhe parcela bujqësore të mbushura me mbeturina.

Ndërkohë, Komuna ndau afro 70 mijë euro për realizimin e projektit të pastrimit të tyre. Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Ferizajt ka thënë për Kohën se në vitin e kaluar kanë pastruar rreth 70 kilometra kanale kulluese dhe shtretër të lumenjve, ndërkohë gjatë këtyre ditëve kanë pastruar edhe 25 kilometra të tjera.

Sipas tij, në fshatin Tërrnë dhe shumë fshatra të tjera janë eliminuar vërshimet duke pastruar lumenjtë e kanalet nga mbeturinat.

“Gjatë viteve të kaluar ka pasur vërshime të mëdha në disa lokalitete, ndërkohë ne kemi ndarë 67 mijë euro dhe jemi duke e bërë pastrimin e shtretërve të lumenjve dhe vendosjen e gypave për trajtimin e ujërave atmosferik sipas nevojës. Këto kanale po hapen edhe nëpër parcela bujqësore me qëllim të parandalimit të vërshimeve”, ka thënë Halili.

“Me qëllim eliminimin e mundësisë së vërshimeve si dhe rivitalizimin e kanaleve ujore, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë ka marrë aksionin për pastrimin e mijëra metrave kanale ujore në fshatrat Greme, Talinoc i Muhaxherëve, Rahovicë, Gurëz e zona të tjera në fshatrat e Ferizajt. Zyrtarët e DShPE bëjnë të ditur se ky aksion do të vazhdojë deri në pastrimin e rehabilitimin e tërësishëm të kanaleve ujore që do të ofronin siguri në rastet e vërshimeve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Ferizajt.