Arbëri

Në Ferizaj nis fushata vetëdijësuese kundër bullizmit në shkolla

Komuna e Ferizajt ka nisur fushatë vetëdijësuese kundër bullizmit nëpër shkolla, derisa rastet e tilla po vazhdojnë të shënojnë rritje.

Bullizmi më së shumti po ndodh nëpërmjet rrjeteve sociale, derisa në shumë shkolla nxënësit kanë krijuar grupe të ndryshme përmes telefonave e më pas po publikojnë fotografi e gjëra të tjera kundër nxënësve të caktuar.

Ky projekt ka nisur në shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ahmet Hoxha” në Ferizaj, e cila ka 1.030 nxënës, për të vazhduar më tej edhe në shkollat tjera. Drejtoresha e kësaj shkolle, Ganimete Konjufca, ka thënë për KOHËN se në këtë shkollë vazhdimisht janë të angazhuar psikologët dhe pedagogët.

“Përmes rrjeteve sociale nxënësit fotografojnë njëri-tjetrin dhe mandej kanë krijuar grupe nëpër telefona dhe krijojnë ngacmime të tilla. Këto janë të vazhdueshme, pastaj pas ngacmimeve të tyre në klasë duhet të intervenojmë ne. Ne ua kemi ndaluar telefonat në shkollë, por megjithatë nxënësit e gjejnë një mënyrë për t’i përdorur ata. Pra ne nuk lejojmë që nxënësit të shkaktojnë bullizëm megjithëse kjo është shprehje pak e rëndë, por ne në shkollë nuk kemi ndonjë fëmijë me nevoja të veçanta që mund të ketë ngacmime të rënda, andaj janë solidarw në mes vete”, ka thënë Hoxha. Ajo ka shtuar se fushatat e tilla janë të mirëseardhura.

Njëri ndër iniciatorët e këtij projekti është Labinot Azemi, i cili ka thënë se gjatë shkollimit ishte ngacmuar.

“Duke nisur nga shkolla fillore, pastaj në shkollë të mesme dhe në studime, gjithmonë kam qenë viktimë e bulluzmit, sepse nga ana e jashtme kam disa defekte të vogla trupore që nga lindja. Prandaj me mua është bërë gjithmonë bullizëm dhe po e shoh që vazhdimisht kjo po ndodh nëpër shkolla. Pastaj, po e vërejmë se nxënësit po krijojnë grupe nëpër telefona dhe po shpërndajnë fotografi të nxënësve të tjerë dhe duke bërë ngacmime të ndryshme, prandaj me këtë fushatë do të vazhdojmë edhe në shkolla të tjera por edhe në gjithë Kosovën”, ka thënë Azemi. Ai ka shtuar se shkollat e Komunës së Ferizajt janë duke e mirëpritur këtë iniciativë dhe mbështetje të madhe po japin edhe drejtorët e shkollave, psikologët dhe pedagogët.

Për këtë projekt ka njoftuar edhe Komuna e Ferizajt.

“Në shkollën ‘Ahmet Hoxha’, nisi sesioni i parë i projektit unik kundër bullizmit, mbështetur nga Komuna e Ferizajt, me ç'rast, përmes rrëfimit personal të ferizajasit, Labinot Azemi, që ishte viktimë e bullizmit në shkollë, do të shpërndahen tek nxënësit e disa shkollave në Ferizaj ku do të implementohet ky projekt, mesazhet kundër bullizmit, fenomen ky shqetësues e i rrezikshëm për zhvillimin e personalitetit që nga fëmijëria e hershme e deri në moshën madhore”, thuhet në komunikatë.