Arbëri

Në drejtimet Fizikë, Kimi e Filozofi më pak aplikues sesa vende të lira

Interesimi për të studiuar në disa drejtime të Universitetit të Prishtinës vazhdon të shënojë rënie. Të dhënat nga afati i parë për regjistrim tregojnë se në disa fakultete, numri i aplikuesve është dukshëm më i ulët sesa vendet e ofruara. Më së paku interesim ka për drejtimet si Fizika, Kimia dhe Filozofia, ndërkohë Fakulteti i Mjekësisë dhe ai i Edukimit mbesin më të kërkuarit nga maturantët që synojnë një indeks studenti

Studimet për Fizikë dhe Kimi, programe të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) janë më pak të kërkuarat nga maturantët këtë vit.

Nga të dhënat e Universitetit të Prishtinës, në afatin e parë të regjistrimit për vitin akademik 2025/2026, shumë fakultete nuk kanë arritur të mbushin as gjysmën e kuotave të ofruara.

Gjithsej në FSHMN, për 590 vende të hapura kanë aplikuar 229 kandidatë.

Në degën e Fizikës, për 65 vende të lira kanë aplikuar vetëm 20 maturantë, ndërsa në atë të Kimisë kanë aplikuar 15 maturantë, teksa mundësia është për pranim të 123 studentëve.

Sipas Ibrahim Hemelit, sekretar në këtë fakultet, rënia e interesimit për këto drejtime është trend që ka nisur para pesë vjetësh.

Ai ka përmendur disa nga faktorët që, sipas tij, kanë ndikuar në këtë mosinteresim të studentëve të rinj për këto drejtime.

“Shkencat natyrore janë më komplekse, pasi që përmbajnë shumë matematikë. Pra, ekziston një perceptim se fizika është shumë e vështirë me u studiu dhe se edhe fakultetet private janë duke ndikuar në këtë rënie të UP-së. E gjithashtu edhe fakultetet e tjera rajonale që janë publike”, ka thënë Hemeli.

Mungesë interesimi ka edhe në të gjitha degët e Fakultetit Filozofik. Ky fakultet ka hapur konkurs për 440 studentë, ndërkohë që në afatin e parë kanë aplikuar vetëm 274 maturantë. 

Ndër drejtimet më pak të kërkuara është ai i Filozofisë, ku kanë aplikuar 13 maturantë e janë plot 41 vende të lira.

Rënie të interesimit për studime është vërejtur edhe në Fakultetin Ekonomik.

Nga 1.200 vende të lira kanë aplikuar 416 kandidatë.

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se duhet të krijohet qasje të re nga UP-ja në planifikimin e programeve akademike.

“Vitet e fundit kanë ndodhur disa fenomene. Së pari, numri i studentëve, që në vitin 2016/17 ka qenë rreth 120 mijë, ka rënë në rreth 70 mijë. Numri i maturantëve në vitin 2010 ka qenë 27 mijë, ndërsa këtë vit ka qenë vetëm 18 mijë. Këtu po shihet se ka rënie të numrit të prurjeve për universitet, në krahasim me më parë. Universiteti po shihet se i ka zvogëluar kuotat e pranimit në programe, pikërisht duke qenë të vetëdijshëm që nuk mund të tërheqin aq shumë maturantë”, ka thënë Pupovci.

Pupovci ka theksuar se në rënien e interesimit për Universitetin e Prishtinës ka ndikuar edhe sektori privat i arsimit që, sipas tij, ka tërhequr 43 për qind të studentëve.

E krejt ndryshe qëndron situata në Fakultetin e Mjekësisë. Aty për 462 vende të lira kanë aplikuar 1.328 maturantë. Edhe Fakulteti i Edukimit ka tejkaluar kuotën qysh në afatin e parë, pasi për 145 vende të lira kanë aplikuar 200 maturantë.