Me mbjellje të drunjve dhe pastrim deponosh, është shënuar Dita Ndërkombëtare e Tokës.
Aksioni i pastrimit ka nisur nga lagjja Fusha e Pajtimit, e cila është pastruar nga organizata “Let’s Do it Kosova” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe “Miqtë e Tokës”, raporton KTV.
Këtu u kërkua që banorët të kujdesen më shumë për planetin.
“Përveç pastrimit, i cili po bëhet sot këtu, me ndihmën e të gjithë aktorëve, përfshirë edhe shoqërinë civile, komunën, organizatat, po edhe popullatën në përgjithësi dhe komunitetin, është më rëndësi që të ruhet pastërtia, jo vetëm që të pastrohet. Ka vetëm një Tokë, nuk ka plan B”, ka thënë Ulrika Richardson, shefe e UNDP-së.
Ditën e Tokës, banorët e lagjes Velania e kanë shfrytëzuar për të protestuar kundër degradimit të parqeve, në përgjithësi, e veçanërisht atij në këtë lagje.
Ata kanë kërkuar që kjo hapësirë të mos shndërrohet në varreza.
Në kuadër të shënimit të Ditës së Tokës në gjithë vendin janë organizuar aksione pastrimi.
Krerët më të lartë të shtetit, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë folur për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, por vetëm nëpërmjet shkrimeve në rrjetet sociale.