Në Bonn të Gjermanisë të enjten është shpalosur pllaka përkujtimore e Qeverisë në ekzil të Republikës së Kosovës (1995-1999).
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka thënë se zbulimi i kësaj pllake s’është vetëm akt simbolik.
“Është një akt mirënjohjeje dhe respekti – fillimisht për historinë tonë, për njerëzit tanë, për institucionet tona të atëhershme që vepruan në kushte të jashtëzakonshme, si dhe për shtetin mik gjerman, i cili ishte i vetmi shtet që asokohe e lejoi funksionimin e Qeverisë në ekzil në territorin e tij”, ka shkruar ai në Facebook me rastin e zbulimit të kësaj pllake.
Mesazh për këtë ditë ka pasur edhe ish-ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping.
“Përfaqësimi i qeverisë në ekzil të Kosovës në Gjermani mes viteve 1995 dhe 1999, nuk është thjeshtë një kujtim, është një përkujtesë. Përfaqësimi përkujton në atë se pakica e kërcënuar në territoret në shkatërrim, por nganjëherë edhe në rrethana tjera dhe shtete, ka nevojë për mbrojtje, për dukshmëri”, ka thënë ai në një video të publikuar nga Ajeti.
Ai ka thënë se për të ajo kohë është inkurajim për të ardhmen, përtej nostalgjisë.
Në ceremoninë e zbulimit të pllakës u mbajt edhe një minutë heshtje, në nderim të Bujar Bukoshit, që e drejtonte këtë qeveri. Ai vdiq të martën në moshën 78-vjeçare.