Arbëri

Në Aeroport, çdo udhëtar është kontrolluar nga ekipet mjekësore dhe Policia e Kosovës

160 udhëtarë të cilët mesditën e së enjtes kanë ateruar në Aeroportin e Prishtinës, u janë nënshtruar kontrolleve, në kuadër të masave parandaluese të përhapjes së koronavirusit.

Si rrallëherë atyre përveç kontrolleve nga ekipet mjekësore, zyrtarë të Policisë së Kosovës, u kanë kërkuar edhe të dhëna shtesë, si vendin prej nga vijnë dhe adresën e saktë se ku do të qëndrojnë, raporton KOHA.

Madje në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës, janë ndarë edhe dy dhoma të cilat sipas rrethanave, në rast se nevojiten mund të shfrytëzohen si karantinë.

Udhëtarët thanë se kanë ardhur në pushime dhe se masat e ndërmarra nga Qeveria i shohin si të arsyeshme.

E ministri i Infrastrukturës dhe Transportit ka marrë vendim që të pezullohen të gjitha ardhjet e linjave ajrore dhe tokësore nga Gjermania, Franca, Zvicra e Italia dhe ky vendim vlen nga 13 deri më 27 mars.

Gjatë së mërkurës, sipas zyrtarëve të Aeroportit, gjithçka ka shkuar në rregull dhe se fluturimet e planifikuara janë realizuar.

Udhëtarët që po bëheshin gati të fluturonin për në Stuttgart, përveç që shumica nga ta nuk kishin maska, edhe shumica e punonjësve në këtë aeroport janë parë pa ndonjë maskë dhe dorëza në duar.

Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, ka treguar se janë duke u aplikuar të gjitha rekomandimet nga institucionet shëndetësore dhe se vendosja e maskave apo e dorëzave tani është në përgjegjësi të personelit.

Kosova dhe Mali i Zi vazhdojnë të mbeten të paprekur nga koronavirusi, si dy vendet e vetme të rajonit e të paktat në gjithë Evropën që nuk kanë shënuar asnjë rast pozitiv me COVID – 19.