Janë bërë 25 vjet që nga rënia në luftë e ish-komandantit të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, dhe bashkëshortes së tij. Në homazhet e organizuara në Gllanasellë të Drenasit, është çmuar lart vepra dhe sakrifica e tij. E historiani Lulzim Nika e quajti të dhimbshëm faktin që edhe pas gjithë sakrificave, Kosova ende po e vazhdon luftën politike me Serbinë
“Më e shtrenjtë është liria se jeta”.
Secili nga miqtë e ka ende të ngulitur në kokë këtë varg që nuk reshtte së përsërituri Fehmi Lladrovci, që nga dita kur e pati kapur armën për t’iu vënë në shërbim vendit të tij gjatë luftës.
Përveçse për veten, ai në intervistën e fundit për transmetuesin britanik BBC, ishte shprehur i sigurt se edhe për bashkëluftëtarët e tij, flijimi është çmimi që me dëshirën më të madhe do ta paguanin për lirinë e Kosovës.
“Të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës janë të vetëdijshëm se pushkën e kanë marrë me vdekë për lirinë e Kosovës”, kishte thënë komandanti i UÇK-së.
Pak kohë pas kësaj interviste, më 22 shtator të 1998-s, Fehmi Lladrovci u vra nga forcat serbe në luftë, bashkë me bashkëshorten e tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci. E fotografia e tij me armë në dorë e në vijë të frontit pati zënë vend asokohe në faqet e gazetës “Koha Ditore”, ku raportohej për vrasjen e ushtarakut të UÇK-së.
Tek flet për Lladrovcin 25 vjet pas rënies së tij, Daut Nika, një plak nga fshati Gllanasellë, thotë se pakkush e mendonte vdekjen si fatin e tij më të madh.
Të mallëngjyer u shprehën edhe miqtë e tij, që jetën, veprën dhe vdekjen ia vlerësuan si sublime.
“Sa herë të shkel në Drenicë, them e kam pasur një shok, Fehmi Lladrovcin”, tha miku i Lladrovcit, Haki Gashi.
“Ka qenë revolucionar i madh, ideolog i madh, por edhe strateg shumë i madh. Njeri më të vendosur lëvizja ilegale dhe populli shqiptar nuk ka pasur”, ka theksuar një tjetër mik i tij.
E me gjithë sakrificën e tij, historiani Lulzim Nika thotë se është e dhimbshme që edhe 25 vjet pas, Kosova vazhdon të zhvillojë luftë politike me Serbinë.
“Në një fjalim që mbante për ushtarët për mobilizim, Fehmi Lladrovci thoshte se liria dhe fitorja do të jenë në anën tonë, mirëpo të kemi kujdes për mosndarjen e Kosovës. Për fatin e keq, historia jonë edhe sot po përballet me copëtimin dhe mosfunksionalizimin e shtetit të Kosovës në veri”, shprehet Nika.
Me rastin e 25-vjetorit të vrasjes, homazhe pranë bustit të Fehmi e Xhevë Lladrovcit në Gllanasellë të Drenasit dhe pranë varreve të tyre të premten bënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e edhe lideri i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili në kohën e luftës ishte anëtar i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.