Arbëri

Ndëshkohen gjashtë biznese në Kaçanik dhe dy në Ferizaj për organizime të darkës së iftarit

Zyrtarë të Inspektoratit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës mbrëmjen e së enjtes kanë zhvilluar një aksion për kontrolle dhe mbikëqyrjen e bizneseve të gastronomisë ndaj masave anti-COVID, pas vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.

Ky aksion ka rezultuar me ndëshkimin e disa bizneseve të cilat kanë organizuar darka të iftarit me numër të madh të personave. Ky aksion është realizuar në disa komuna të regjionit të Ferizajt. Në qytezën e Kaçanikut janë gjobitur gjashtë biznese për mospërmbushje të rekomandimeve kundër pandemisë COVID-19 dhe organizime të darkës së iftarit, ndërkohë në Ferizaj janë ndëshkuar 2 biznese për mos mbajtje të distancës së klientëve dhe tejkalim të numrit të personave në organizime të darkës së iftarit.

Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-së ka thënë për KOHEN se inspektorët sanitar në regjionin e Ferizajt do të vazhdojnë edhe gjatë mbrëmjeve të vikendit për t’i inspektuar të gjitha bizneset e gastronomisë të cilat shkelin masat anti-COVID.

“Në të gjitha rastet ku inspektorët kanë hasur në shkelje të pikave të vendimit të fundit të Qeverisë, inspektorët Sanitar të AUV-së kanë shqiptuar gjoba për persona juridik, ku kryesisht si shkelës kanë qenë të përfshira restorantet të cilat kanë organizuar mbajtjen e iftarit. Në Kaçanik janë gjobitur 6 pronarë të lokaleve ndërsa në Ferizaj dy pronarë. Pra shkeljet ligjore kanë qenë për mos ruajtje të distancës dhe tejkalim i numrit të klientëve prej katër në 10 metra katrorë apo shërbim nëpër tavolina më shumë se 4 persona”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, të gjitha këto veprime janë në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për parandalim të përhapjes se pandemisë COVID-19.

“Zyra Regjionale e Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë në Ferizaj, përmes Koordinatorit udhëheqës është në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me Policinë për mbikëqyrje të masave me grupe të përbashkëta. Kontrollet do të vazhdojnë çdo ditë, për asnjë shkelës nuk do të ketë tolerancë”, ka shtuar Thaçi.