Arbëri

Ndërtimi, prodhimi dhe bujqësia - sektorët më të rrezikshëm për punëtorët

Pasiguria në punë dhe mosdeklarimi i punëtorëve janë dy problematika që po përcjellin sektorin privat në Kosovë. Në konferencën që temë diskutimi kishte formalizimin e punës në Kosovë, u tha se sektori i ndërtimit, prodhimi dhe bujqësia janë më të rrezikshëm për punëtorët. Ndërkohë Inspektorati i Punës ngriti si shqetësim numrin e ulët të inspektorëve.

Numri i lartë i vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës dhe punësimet pa kontrata janë shqetësimet e ngritura në konferencën që temë diskutimi kishte formalizimin e punës në Kosovë. Sektorët që po përballen me këto dy problematika janë ndërtimi, prodhimi dhe bujqësia.

Zëvendësshefi i Bashkimit Evropian, Ricardo Serri, thotë se këto dy çështje duhet të adresohen seriozisht nga Inspektorati i Punës.

“Norma e punës joformale është diku 30 për qind, ndoshta edhe më shumë. Një tjetër problematikë është norma e aksidenteve fatale në punë në sektorin privat, e cila është e lartë në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Serri.

Sipas tij, miratimi i parimeve nuk është njëjtë sikurse edhe zbatimi, dhe, se siç ka thënë ai, duhet të gjenden hapa praktikë lidhur me ketë.

Kryeinspektori i Punës, Ekrem Kastrati, ka thënë se kapacitetet e këtij institucioni janë të pamjaftueshme për inspektime në tregun e punës.

“Ne kemi një numër të vogël të inspektorëve, andaj pritjet e shoqërisë dhe aktorëve të tjerë të cilët presin rezultate dhe një performancë më të madhe për inspektime lidhet kryesisht me disa sfida për mungesë të inspektorëve për të mbuluar të gjithë territorin e Kosovës”, ka theksuar ai.

Në strategjinë e punës, sipas tij, është paraparë si objektiv kryesor siguria në punë dhe zvogëlimi i shkallës së informalitetit.

“Objektivi i parë është siguria në punë, për të cilët po bëjmë maksimumin që punëtorët të mos lëndohen dhe të mos pësojnë me fatalitet në vendet e punës, sidomos në prodhimtari dhe ndërtimtari. Objektivi i dytë është ulja e informalitetit në bashkëpunim me partnerët e tjerë socialë”, theksoi Kastrati.

Shqetësues mbetet mosdeklarimi i punëtorëve. Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka thënë se janë të përkushtuar për të luftuar informalitetin pasi, siç ka thënë, dëmet janë të mëdha.

“Këto dukuri dëmtojnë seriozisht ekonominë dhe shoqërinë si tërësi. Dëmet nuk përkufizohen vetëm në dëmtimin e arkës së shtetit, por prekin edhe aktivitetet e bizneseve, duke dëmtuar në masë të madhe edhe konkurrencën jolojale mes bizneseve”, ka theksuar ai.

Dukuria e informalitetit, sipas tij, cenon drejtpërdrejt sigurinë fizike dhe shëndetin në punë.

“Në këtë drejtim ne si institucion do të bashkëpunojmë ngushtë me Inspektoratin e Punës me qëllim që t’i identifikojmë të gjitha ato raste dhe të minimizojmë në maksimum evazionin fiskal tek të punësuarit joformal”, u shpreh Murtezaj.

Më 2020, sipas Inspektoratit të Punës, kanë humbur jetën 11 punëtorë në vendin e tyre të punës, ndërsa janë lënduar 160 të tjerë.