Ndërtimi i një çerdheje publike në këtë lokacion në Petrovë të Shtimes po kundërshtohet nga banorët, të cilët thonë se këtu gjenden rreth 300 varreza të hershme të familjarëve të tyre.
Për realizimin e projektit për çerdhen, ekzekutivi lokal në Shtime ka paraqitur propozim–vendim para kuvendarëve për mbledhjen e radhës, e cila pritet të mbahet në fund të javës.
Banorët kanë parashtruar edhe një ankesë në Komunë, duke kërkuar që projekti të zhvendoset në ndonjë parcelë tjetër në periferi të fshatit.
Ndonëse e mirëpresin ndërtimin e çerdhes, ata thonë se parcela në të cilën planifikohet ndërtimi i saj është plot me varreza.
“I prek familjarët e mi, familjen time, të parët e mi, babagjyshin, gjyshen; katragjyshin e kemi diku tjetër, por gjyshi e gjyshja dhe një vëlla i imi janë këtu të varrosur, dhe disa anëtarë të tjerë të familjes Ademaj”, u shpreh Gani Ademaj, banor.
Edhe të tjerë banorë janë kundër ndërtimit të çerdhes në këtë vend.
“Varreza ka qenë dhe është i gjithë ky vend. Edhe nuk jemi të pajtimit kurrë që të ndërtohet këtu një çerdhe. Nuk futet në funksion ajo, sikur ambulanca që është ndërtuar, nuk funksionon kurrë, një tjetër në lagje që është ndërtuar kurrë nuk funksionon, çka funksionon këtu çerdhja e fëmijëve”, tha banori Mufail Rashiti.
Adelina Beqaj, banore nga ky fshat, njëherësh kuvendare nga radhët e PDK-së, ka thënë se këtë lokacion do ta kundërshtojnë edhe në mbledhjen e radhës.
“Banorët e fshatit nuk kanë qenë të informuar për këtë projekt dhe normalisht që qeverisja komunale është dashur ta bëjë një diskutim publik para se ta sjellë propozimin në Kuvend dhe t’i marrë e shqyrtojë udhëzimet administrative të MASHTI-t për normat dhe standardet e hapësirës publike për objektet parashkollore”, u shpreh Beqaj.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë se së shpejti do të shqyrtohen ankesat e banorëve rreth lokacionit.
“Fshati Petrovë është një fshat i madh dhe gjithmonë ka pasur polarizime të tilla për shumë vendime. Unë kërkesën për përzgjedhjen e lokacionit ia kam lënë kryetarit dhe Kryesisë së fshatit, bashkë me kuvendarët. Ata kanë për ta konsumuar këtë debat dhe do të vijnë me një konkluzion gjithëpërfshirës”, pohoi Aliu.
Sipas kryetarit Aliu, Qeveria e Kosovës po e financon ndërtimin e çerdhes në Petrovë, si dhe një të tillë në fshatin Godanc.