Shoqata e Autobusëve Podujevë–Prishtinë ka vendosur të ndërpresë grevën disa-ditore pa marrëveshje me Komunën e Prishtinës.
Përfaqësuesi i shoqatës, Sadat Kurtolli, ka deklaruar të mërkurën se arsyeja e pezullimit të saj është çmimi i lartë i biletave që është dashur të paguajnë qytetarët gjatë ndërprerjes së transportit publik.
Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës ka shprehur gatishmëri për të vazhduar bisedimet edhe pasi të rifillojë puna, derisa të gjendet një zgjidhje e përhershme.
“Arsyeja e ndërprerjes së grevës është se qytetarët po paguajnë bileta me kosto shumë të lartë deri në 3-4 euro dhe Komuna e Prishtinës ka shprehur vullnet për të biseduar edhe pasi të fillojmë punën derisa të mbërrijmë në një pikë të caktuar. Nisja për Podujevë do të bëhet nga stacioni te shkolla “MODEL”, stacion i përkohshëm”, ka thënë Kurtolli.
Shoqata e pati nisur protestën ditë më parë para objektit të Komunës së Prishtinës, kundër vendimit që e ndalon kthimin e autobusëve pranë “Xhamisë së Llapit”.