Protesta dhe mosbindje civile ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, krahas politikanëve, kanë paralajmëruar edhe organizata të shoqërisë civile në veri. Narracioni i krijuar në prag të skadimit të afatit të vënë nga Qeveria është i ngjashëm me periudhën kur serbët bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare, në kundërshtim të reciprocitetit për dokumentet për hyrje-dalje. Por sipas udhëheqësve të Kosovës, serbët janë të kërcënuar vetëm nga strukturat kriminale në veri
Dramatizimi me situatën e sigurisë në veriun e populluar me shumicë serbe, krahas politikanëve ka zbritur edhe në nivel të shoqërisë civile.
“Qendra Humane” me seli në Mitrovicën e Veriut ka publikuar një anketë me qytetarë, ku pretendon se ka gatishmëri mes popullatës në veri për mosbindje dhe protesta kundër vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale në ato legale - RKS.
Megjithëse nuk ka një qëndrim zyrtar të Qeverisë lidhur me veprimet që do t’i ndërmarrë pas 31 tetorit dhe nëse do të ketë konfiskim të automjeteve me targa ilegale, kjo OJQ ka konstatuar si epilog final konfiskimin e veturave.
“Afro dy të tretat e të anketuarve kanë theksuar se janë të gatshëm të marrin pjesë në protesta dhe mosbindje civile nëse automjetet e tyre konfiskohen nga Policia e Kosovës. Atyre do t'iu konfiskohen targat, që është në kundërshtim me çdo të drejtë pronësore, sepse askush nuk mund t'ua marrë veturën. Duhet të merrni 500, 1000, 10.000 vetura, kjo është e pamundur”, ka thënë Verolub Petroniq – hulumtues për siguri, transmetoi “Kosovo-online” të mërkurën.
Sipas anketës me 150 respondentë, rreth 77 për qind e të anketuarve besojnë se Policia e Kosovës do t'ua konfiskojë veturën nëse nuk i riregjistrojnë deri më 31 tetor, ndërsa 23 për qind janë pjesërisht të sigurt se automjeti do t'u konfiskohet. Të pyetur se cili do të jetë reagimi i mundshëm në rast sekuestrimi të automjetit, “45 për qind e qytetarëve thonë se do të marrin pjesë në protesta, 23 për qind theksojnë se do të marrin pjesë në mosbindje civile, 17 për qind thonë se nuk do të bëjnë asgjë dhe 15 për qind prej tyre kanë thënë se në rast sekuestrimi të automjeteve do të largohen nga Kosova”.
“Hulumtimi tregoi se frika është shumë e madhe dhe se njerëzit janë të frikësuar. Të gjithë aktorët e dialogut dhe mbi të gjitha komuniteti ndërkombëtar duhet të japin kontributin e tyre për të reduktuar frikën e popullatës, sepse nëse e gjithë situata nuk zgjidhet në mënyrë të arsyeshme, mund të kemi pasoja katastrofike”, ka thënë Petroniq.
Krahas kësaj OJQ-je për mundësinë e rikthimit të tensioneve kanë folur edhe politikanët në veri, të cilët i kërkuan presidentit Vuçiq ta mbledhë Këshillin e Sigurisë.
Qeveria ka refuzuar ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat edhe pas kërkesës së vendeve të QUINT-it. Por në MPB nuk kanë treguar për veprimet që do t’i ndërmarrin pas 31 tetorit dhe nëse do t’i kundërpërgjigjen fushatës dezinformuese në veri.
Lidhur me targat të mërkurën ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka mohuar se ka presion ndërkombëtar për shtyrjen e vendimit.
“Unë nuk do ta quaja presion, gjithçka që vjen nga miqtë tanë është sugjerim me qëllimin më të mirë të mundshëm. Dhe natyrisht që sikurse ne si liderë institucionalë të Kosovës, ashtu edhe miqtë tanë, qëllimin e kemi që të ruhen paqja dhe stabiliteti në Kosovë e përtej. Kurse sa i përket qëndrimit tim rreth targave e kam thënë para tri-katër ditësh, është i njëjti”, ka thënë Osmani, e cila mori pjesë në mbjelljen e drunjve në aksin rrugor tek Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. “Kjo është çështje e sundimit të ligjit dhe në koordinim me partnerët tanë do ta gjejmë një zgjidhje, ku qytetarët serbë nuk do të ndihen as të kërcënuar, as të frikësuar, sepse qëllimi është i mirë për ta. Natyrisht, bashkërisht t'i vazhdojmë përpjekjet tona për sundim të ligjit dhe për luftim të bandave kriminale, të cilat po djegin shtëpi, po djegin makina e të tjera”.
Sipas Osmanit, ka angazhime për gjetjen e një zgjidhjeje e cila i largon serbët nga kërcënimet e strukturave kriminale në veri.
“Ne duhet të ulemi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët ku edhe respektohen obligimet ligjore e kushtetuese që i kemi ne si institucione, e në anën tjetër, gjithë serbët që jetojnë në Kosovë të ndihen të mbrojtur, të informuar dhe po ashtu i mbrojmë ata nga kërcënimet e vazhdueshme që po ua bëjnë bandat kriminale serbe. Dhe besoj që do të gjendet një zgjidhje përpara e cila edhe e respekton afatin, edhe i mbron serbët nga këto kërcënime të vazhdueshme që po i kemi”, ka shtuar Osmani.
31 tetori është afati i fundit për riregjistrimin e veturave me denominime nga ish-periudha e Millosheviqit, të cilat deri tash i kanë lëshuar strukturat që Kosova i konsideron ilegale. Kësisoj, pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022 u është mundësuar regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë.
Ngjashëm sikurse me targat, Serbia ndërmori një fushatë dezinformuese në korrikun e këtij viti, duke i paralajmëruar serbët se Qeveria e Kosovës do t’ua konfiskojë dokumentet e identifikimit. Tensionet ishin shmangur pas marrëveshjes së Brukselit, ku edhe Serbia hoqi dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës.