Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginë të Preshevës, ka deklaruar se studentët serbë po kërkojnë që të bie sistemi totalitar i pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, derisa tha se rrallëherë ndodh që protestat të zgjasin mbi tetë muaj.
Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se aktualisht Vuçiq dhe kabineti i tij “janë ngujuar në presidencë dhe nuk lëshon pe nga kërkesat e qarta të studentëve”.
Ai ka shtuar se Vuçiqi iu frikësohet zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi shtoi se e ka humbur përkrahjen që e ka pasur.
“Ai do t’i frikësohet zgjedhjeve sepse as shanse teorike s’ka t’i fitojë këto zgjedhje si i ka fituar përpara pasi s’mund të blejë me para popullin..”, ka thënë Mustafa.
Sipas Mustafës, kërkesa për rrëzimin e pushtetit është e madhe.
“Kërkesa është përmbysja e pushtetit totalitar. Ne kemi menduar se ka qenë pushtet i keq vetëm për ne në Luginë të Preshevës, por paska qenë edhe për serbët. Por, për ata që s’janë në partinë e Aleksandar Vuçiqit janë më të padashur. Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë për rrënimin e sistemit totalitar serb, me origjinë nga Shesheli...”, ka thënë ai.
Sipas Mustafës, sistemi i Vuçiqit s’e ka ndërruar mendësinë as për shqiptarët në Luginë të Preshevës për 10 vjet. Ai ka shtuar se presidenti serb ka pritur që shqiptarët të ngrihen në protesta kundër tij “që ta shfrytëzojë më pas për motive politike”.
“Rrallë ndodh që protestat të zgjasin mbi tetë muaj dhe nuk iu dihet epilogu. Studentët nga universitetet në Serbi dhe tabori i pushtetit qendror të Vuçiqit, që janë ngujuar në pozicione të tyre. Qëndrimi i studentëve është të ndërrojë sistemi politik në Serbi”, ka shtuar ai.
Mustafa foli për një grup kriminelësh serbë “që i kanë duart e zhytura në gjak deri në bërryla në Kosovë e në Bosnjë e që janë në krahun e Aleksandar Vuçiqit”.