Arbëri

Mustafa rrëfen sfidat politike në Jugosllavi: Më kundërshtonin pse isha djali i hoxhës

Muhamet Mustafa

Një prej ekspertëve eminent të ekonomisë, Muhamet Mustafa ka rrëfyer sfidat e para të karrierës politike, duke treguar në podcastin PIKË me Veton Surroin se si prej një familjeje me traditë fetare, përballja me strukturat e kohës, paragjykimet dhe presionet politike e shoqëruan që nga momentet e para të angazhimit në Organizatën e Rinisë së Kosovës. 

“Patën dalë disa nga Lidhja Socialiste dhe thonin: qysh djali i hoxhës me qenë udhëheqës? Por ajo u tejkalua”, ka thënë Mustafa, duke kujtuar se propozimi për emërimin e tij kishte ardhur nga paraardhësi Agim Zatriqi ndërsa ishte përkrahur edhe nga figura të asaj kohe si Mahmut Bakalli dhe Xhavid Nimani.
Gjatë bisedës, Mustafa foli edhe për historinë e familjes së tij, duke treguar se gjyshi i tij kishte vdekur gjatë Haxhit në vitin 1926, në malin Ararat, që cilësohet si “vdekje e dëshirueshme”.

Ndërsa për babanë e tij, hoxhë i shkolluar për dhjetë vjet në medrese, Mustafa u shpreh se ai kishte rënë në sy të pushtetit pas Luftës së Dytë Botërore për shkak të një fjalimi ku kishte denoncuar dhunën e brigadave malazeze ndaj shqiptarëve.

“Kishte rrezikuar vdekjen. Fadil Hoxha e thirri dhe i tha: ‘nëse rri në mal, kanë me të vra; hajde se e dimë që s’ke faj’ “, tregoi Mustafa. Sipas tij, ndërhyrja e Fadil Hoxhës ishte vendimtare për tejkalimin e situatës, megjithëse babai i tij kishte refuzuar të hynte në Parti për shkak të rolit të tij fetar.

Mustafa rrëfeu edhe dilemat në kohën kur ishte ftuar të bashkohej me Partinë.

“I thashë ta konsultoj babën. Ai më tha: unë kam pasur mundësi të hyj, por s’kam hy se jam qenë hoxhë. Ti vendos vetë, është kohë tjetër, mundesh me kontribu. Por të them që s’ke me kalu mirë, se të njoh”, tregon ai.

Sipas Mustafës, babai i tij i kishte thënë edhe një paralajmërim profetik.

“Ka me ardhë një situatë që do t’i lakmosh një bariu me dele”, rrëfen eksperti. 

Mustafa shtoi se parashikimi i parë i babait “kishte dalë i vërtetë”, duke nënvizuar se përkundër suksesit në politik, telashet kanë qenë të shumta, sidomos gjatë punës në Qeverinë Federative.

Surroi e përmbylli me vlerësimin se, pavarësisht sfidave, Mustafa kishte qenë “më i suksesshëm sesa e kishte paralajmëruar babai i tij”.
 

Lexo përditësimet tjera
Muhamet Mustafa

Muhamet Mustafa në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 32-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është një prej...