Vjosa Musliu, ligjëruese e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Lirë në Bruksel, nuk është shprehur optimiste se udhëheqësia e re e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, e as administrata e re amerikane, do ta kenë në fokus çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, në periudhën e afërt.
Duke marrë për bazë fjalimin e shefes së re të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, për agjendën e saj për pesëvjeçarin e ardhshëm, Musliu në “Interaktiv” të KTV-së të premten ka thënë se ajo ka treguar qartë që fokusi do të jetë në luftën në Ukrainë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ajo u pozicionua qartë që përfundimi i luftës në Ukrainë dhe fitorja e Ukrainës në këtë luftë është prioritet për mandatin e saj dhe BE-në. Pastaj problemet tjera të politikës së jashtme që i numëroi kishin të bënin me Kinën, Rusinë dhe Iranin dhe luftën në përhapje në Lindje të Mesme. Ballkanin Perëndimor Kallas e përmendi kur u përmend zgjerimi. Duket se s’ka e s’do të ketë fokus të jashtëzakonshëm qoftë në Ballkanin Perëndimor qoftë në dialogu që Borrelli e ka pasur më të detajuar në agjendë”, ka thënë ajo.
Sa i përket zgjedhjes së Donald Trumpit president të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Musliu ka thënë se ky është lajm jo i mirë për rendin botëror për shkak të mesazheve që përçojnë vendimet e SHBA-së në botë, “sidomos për vendet e vogla, sovraniteti i të cilave është i kushtëzuar si në rastin e Kosovës”.
Ajo ka thënë se SHBA-ja ka interesim të jashtëzakonshëm për luftën në Lindje të Mesme dhe ka rol të madh në ndërmjetësimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“E ndoshta kjo shpërndarje e administratës Trump, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në agresionin rus në Ukrainë, mund t’ia zvogëlojë apetitet ose ambiciet për t’u marrë me aq zell sa është marrë administrata e presidentit Trump më 2020 në raport me Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë ajo.
Edhe idenë që të ketë pako ku çështjet e hapura të Evropës të përfshihen në të, Musliu e ka konsideruar të pamundur duke thënë se secila kërkon zgjidhje specifike.
Sipas saj, Bashkimi Evropian çështjen e Kosovës e konsideron kokëdhimbje sepse nuk po mbyllet si temë. Ajo ka thënë se status-quoja në dialog po i konvenon më së shumti Serbisë, e po i ndihmon BE-së, por “as nuk po i pengon shumë as Qeverisë së Kosovës”.
“Kjo status quo i jep mundësi qoftë BE-së, qoftë qeverisë në Kosovë apo në Serbi, që duke e mbajtur këtë si një problem të vazhdueshëm të bëjë një lloj ‘arrestimi’ të politikave dhe politik-bërjes që do të kishin efekt real brenda në vend”, ka thënë ajo.
Për procesin e plotë të dialogut nga fillimi, Musliu ka thënë se ai shquhet për mungesë transparence.