Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se numri i ministrive është rritur sepse siç deklaroi ka pasur raste kur një dikaster ka qenë shumë i gjerë dhe nuk është arritur efikasiteti që e kanë paraparë.
Murati tha në të kaluarën e kanë kritikuar rritjen e numrit të ministrive sepse është bërë për të akomoduar koalicionet e gjera që arriheshin.
“Sa i përket numrit të ministrive, edhe kritika edhe argumenti ka qenë që të mos ketë ministri apo dikastere të cilat bëhen sa për të akomoduar koalicionet e gjera që bëheshin në të kaluarën. Kishte ministri që kishin 7 zv.ministra, 5 zv.ministra, ndoshta jo aq e nevojshme. Në rastin tonë nuk është kjo nevojë që të ketë koalicion të gjerë sepse kemi shumicën e nevojshme. Megjithatë është parë gjatë mandatit të kaluar që nuk është arritur sinergjia e cila ishte synuar. Ka pasur raste kur dikasteri ka qenë shumë i gjerë dhe nuk është arritur efikasiteti i nevojshëm që është synuar qysh në fillim të mandatit. Prandaj është paraparë që të ketë një riorganizim tek Ministria e Punëve të Brendshme me Administratën Publike dhe Digjitalizimi të ketë një ndarje prej bashkimit që ishte bërë më herët”, ka deklaruar Murati.
Nga 15 ministri sa i kishin në të kaluarën, në qeverinë Kurti 3 janë shtuar katër duke u bërë kështu 19 ministri në total.
Murati: Pagën e 13-të do ta marrin vetëm ata që i kanë marrë 12 paga
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar se pagën e 13-të do të mund ta marrin vetëm ata të cilët paraprakisht kanë 12 muaj punë.
Murati ka deklaruar se ata të cilët kanë më pak se 12 muaj punë, atëherë këtë pagë do të mund ta marrin në vitin e ardhshëm.
“Paga e 13-të vjen për ata që i kanë marrë 12 paga. Pra nëse dikush ka ardhë rishtazi atëherë pagën e 13-të do ta marrë në vitin e ardhshëm. Pagën e 13-të do ta marrin ata që marrin pagë nga buxheti i shtetit por që paraprakisht i kanë mbushur 12 muaj”, ka thënë Murati në një deklarim për media pas mbledhjes së Qeverisë.