Ligjeruesi i shkencave politike, Valon Murati, ka vlerësuar se për Kosovën ka qenë e vështirë që ta refuzojë kërkesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për themelimin e organizatës së re për paqen në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik në Davos, për shkak të situatës në të cilën gjendet aktualisht.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Murati ka thënë se vendet e tjera të vogla si Sllovenia kanë “luks” ta refuzojnë një kërkesë të tillë sepse nuk u kontestohet ekzistenca, sikurse Kosovës.
“Pozicioni i Sllovenisë është i ndryshëm. Sllovenisë nuk i rrezikohet ekzistenca, jam i bindur se as ne nuk na rrezikohet ekzistenca, por na kontestohet, ndërsa Sllovenisë nuk i kontestohet dhe për momentin Sllovenia mund ta ketë edhe luksin e pozicionimit të tillë. Ne, presidentja është pozicionuar, mendoj se ka qenë e vështirë t’i thuhet jo një oferte të tillë edhe për shkak të situatës në të cilën gjendemi. Këtë politikë nuk mund ta trajtojmë si një aksident, por është logjikë e re në politikën e SHBA-së”, ka thënë ai.
Murati ka vlerësuar se Kosova duhet të jetë e kujdesshme në pozicionim.
“Vështirësia më e madhe në pozicionim është kur duhet të zgjedhim mes aleatëve”, është shprehur ai.
Sipas tij, vetë fakti që SHBA-ja e trajton Kosovën si shtet me të gjitha atributet e sovranitetit përbën një fuqizim të drejtpërdrejtë të pozitës ndërkombëtare të vendit.
“Prej ftesës, prej faktit që SHBA-ja të trajton si shtet me të gjitha atributet, shtet sovran, subjekt i së drejtës ndërkombëtare, vetë ftesa është fuqizim, e deri te mundësia që të jesh pjesë e një mekanizmi ndërkombëtar me plot shtete që nuk na kanë njohur. Edhe me plotë mundësi që ndoshta ndonjë prej atyre shteteve të krijojë marrëdhënie me Kosovën, ta ndryshojë situatën”, ka thënë ai.
Sipas Muratit, ftesa për presidenten nuk është e rastësishme, duke pasur parasysh marrëdhëniet e vazhdueshme që ajo ka mbajtur me Shtetet e Bashkuara.
“Ndoshta nuk është krejt e rastësishme ftesa për presidenten sepse ajo ka vazhduar ta ketë një marrëdhënie me SHBA-në. E kemi Edi Ramën në Shqipëri që nuk shkoi, por ai e kishte ftesën. Kryeministri Kurti ka raporte shumë të kufizuara me administratën amerikane, nuk ka asnjë vizitë zyrtare në SHBA, sa herë ka shkuar vizitat kanë qenë o me diasporën, o kanë qenë ftesë si ajo e Konventës së demokratëve, që pati ftesë të NDI-it”, ka shtuar ai.