Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim dhe ish-ministri Valon Murati ka pasur kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për gjuhen populiste duke thënë se vendi po futet në cikle të panevojshme zgjedhore dhe po përballet me polarizim të rrezikshëm politik e shoqëror.
Murati ka thënë se deklarimet e Kurtit për zgjedhje të reja në mars ose prill krijojnë presion të panevojshëm dhe pasiguri institucionale, duke theksuar se mungesa e votave për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin sërish në votime. Ai paralajmëroi se zgjedhjet e shpeshta po e dëmtojnë funksionimin e shtetit.
“Jemi shoqëri e brishtë. Ky polarizim dhe zgjedhjet kaq të shpeshta ndikojnë drejtpërdrejt në dobësimin e institucioneve”, ka thënë Murati në “Konfront”, duke shtuar se Kosova nuk mund të mburret me traditë të gjatë shtetformimi ndërkohë që vendi, sipas tij, ka bërë hapa prapa.
Ai kritikoi ashpër diskursin politik aktual, duke akuzuar Vetëvendosjen për krijim të ndarjeve të rrezikshme në shoqëri.
“Është e pashembullt që një parti me 48 deputetë të mos arrijë të formojë qeverinë. Ajo po rikthen një diskurs populist që e ndan shoqërinë në patriotë dhe tradhtarë”, u shpreh Murati.
Sipas tij, Kosova po jeton në një “bubble” politike ndërkohë që rajoni e veçanërisht Shqipëria po ecin përpara me hapa të shpejtë.
Murati: Kurti s'bën koalicion me PDK-në sepse s'mund ta "gëlltisë"
Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim dhe ish-ministri Valon Murati, duke folur për mundësitë e bashkëpunimeve mes partive politike, varësisht nga rezultatet që mund të dalin pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka thënë se megjithatë Albin Kurti, nuk bën koalicion me PDK-në.
Murati në emisionin “Konfront” në KTV, deklaroi se Kurti e sheh PDK-në si një parti që nuk mund ta dëmtoj njësoj sikurse LDK-në kur qeverisi gjatë kohës së pandemisë.
“Unë vazhdoj të mos shoh ende një gjasë për të pasur një koalicion LVV-PDK sepse në këtë rast Vetëvendosje do të preferonte me LDK-në. Thjesht mendon edhe ta gëlltisë në një farë forme ashtu siç e gëlltiti në atë periudhën e pandemisë. Natyrisht edhe me gabimet që u bënë kur ra qeveria në atë kohë. Për aq sa deri tash ka bërë poteza Kurti, ai e sheh këtë lojën me PDK-në pak më të vështirë sepse më vështirë dëmtohet a ‘bluhet’. Ata madje frikësohen se PDK-ja mund të dominoj në koalicion sepse kanë strukturat e tyre që kanë mbetur në administratë, në gjyqësor e që nuk mund të kontrollohen. Kurti mund të na dërgoj edhe disa herë në zgjedhje me përpjekjen e tij që të dalë mbi 50% e të qeverisë vet. Mund të kemi edhe qeveri teknike pas kësaj, varësisht nga rezultati”, deklaroi Murati.