Arbëri

Mungon dëshmitari, anulohet seanca në rastin KEK 1

Nagip Krasniqi në Gjykatë

Nagip Krasniqi në Gjykatë / KOHA

Është anuluar seanca gjyqësore në rastin ku Nagip Krasniqi akuzohet për korrupsion. Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se dëshmitari Skender Muqolli e ka njoftuar Gjykatën Themelore në Prishtinë se nuk mund të paraqitet për shkaqe shëndetësore. Muqolli mban pozitën e shefit të Departamentit të Tregut të Energjisë pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Më 3 korrik 2025, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në nisje të gjykimit për aktakuzën e parë ndaj tij. Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi ia mundësoi kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” (HSE) që të tregtojë energji pa pasur licencë në Kosovë, duke i shkaktuar dëm shtetit prej rreth 3.2 milionë eurosh.

Aktakuza e ngarkon Krasniqin se pak ditë pasi që e ka marrë detyrën e kryeshefit të KEK-ut, ia ka mundësuar kompanisë “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e rrymës në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe atë për Zyrën e Rregullatorit.

Sipas aktakuzës, Krasniqi me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me kompaninë sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni se tregtimi i energjisë nuk mund të bëhej me kompani të palicencuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Ndaj Nagip Krasniqit ka edhe një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në aktakuzën e re, përveç ish-kryeshefit të KEK-ut, janë të përfshirë edhe ish-shefi i prokurimit në këtë korporatë, Ymer Dragusha, dhe avokati, Isuf Zejna.