Me ndryshimet që prodhuan zgjedhjet presidenciale në SHBA, Kosova ka çuar sinjale se nuk do t’u qëndrojë pas zotimeve të firmosura në marrëveshjen e 4 shtatorit. Eksponentë brenda Qeverisë kanë shfaqur dallime në pikën që flet për moratoriumin njëvjeçar në Kosovë sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Kjo u konfirmua me anëtarësimin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit. Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, kishte përgëzuar Zyrën Kombëtare të Auditimit, por më vonë e fshiu postimin. Qeveria nuk ka bërë kurrfarë deklarimi rreth këtij anëtarësimi.
Analisti dhe gazetari, Branislav Kërstiq, thotë se asnjëra palë nuk kanë shfaqur vullnet në zbatimin e marrëveshjes dhe ky hezitim vetëm sa do të rritet me ardhjen e Bidenit, raporton KOHA.
“Zbatimi i marrëveshjes së 4 shtatorit nuk është në duart e politikanëve në Prishtinë dhe Beograd. Kjo do të varet nga qasja që do ta ketë administrata e re për këtë marrëveshje. Nëse administrata Biden vlerëson se ai dokument përmban disa pika që duhet të përmbushen, me siguri se palët do të binden. Por nuk jam i sigurt që Bideni do të insistojë në zbatimin e marrëveshjes në tërësi. Ajo që mbetet me siguri do të jetë njohja e Kosovës nga Izraeli”, ka thënë Kërstiq.
Kandidati për president, Joe Biden, të cilin rezultatet preliminare e nxorën fitues, kishte kritikuar presidentin Trump për qasjen në raport me Kosovën.
Në një letër drejtuar shqiptaro-amerikanëve, presidenti demokrat është zotuar se, do të punojë me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun, me qëllimin që të arrihet njohja e plotë reciproke.
Në anën tjetër, Serbia prej fillimit ka shfaqur tendenca në mosrespektimin marrëveshjes së Washingtonit. Ish-shefi i diplomacisë serbe, tani kryetar i Parlamentit, Ivica Daçiq, i ka kritikuar serbët që japin informata për varrezat masive të shqiptarëve në Serbi. Ndërkaq, marrëveshja i obligon të dyja palët që t’i koordinojnë veprimet në gjetjen e të zhdukurve nga lufta e fundit.