Arbëri

Mungesa e shenjëzimeve dhe e mbrojtëseve shton aksidentet me fatalitet

Rruget rajonale Ferizaj

Rrugët rajonale në Ferizaj prej vitesh nuk po mirëmbahen nga askush. Në shumicën prej tyre mungojnë sinjalizimet. Ekspertët e komunikacionit rrugor që merren me trajtimin e aksidenteve kanë thënë se shkaktarët kryesorë të aksidenteve me fatalitet janë ato lokacione që nuk i kanë të vendosura mbrojtëset e metalta përgjatë rrugëve rajonale

Shenjëzimet, sinjalistika, por edhe anësoret mbrojtëse në rrugë magjistrale në komunat e rajonit të Ferizajt prej vitesh mungojnë.

Ekspertët e komunikacionit rrugor që merren me trajtimin e aksidenteve në rajonin e Ferizajt kanë thënë se shkaku që rrugët nuk i kanë “pahitë elastike” shoferët po përfundojnë jashtë rrugëve duke e rritur numrin e aksidenteve me fatalitet.

Eksperti Xhemil Halili tregon se disa aksidente me fatalitet që kanë ndodhur në këtë rajon, sikurse të kishte mbrojtëse të metalta do të mund të përfundonin vetëm me dëme materiale.

“Pahitë elastike janë të nevojshme nëpër rrugët që konsiderohen si rrugë me karakteristika më të veçanta nëpër kthesa dhe rrugë me pjerrtësi, sigurisht që këto i zbusin pasojat e aksidenteve dhe janë shumë të nevojshme. Ka raste kur mungojnë këto dhe sigurisht që po të ishin në rrugë, shumica e aksidenteve nuk do të përfundonin me fatalitet”, ka thënë Halili.

Vendosja e sinjalizimeve dhe e mbrojtëseve të metalta është e domosdoshme edhe për ekspertin Liridon Shahini.

“Sinjalistika rrugore është shumë e rëndësishme, sepse është elementi kryesor që ndikon në uljen e aksidenteve. Sinjalizimi horizontal dhe ai vertikal duhet të jenë në koordinim me njëri-tjetrin në mënyrë që ngasësit e automjeteve të kenë informacionin e parë në rrugë dhe atë që i pret. Ndërsa pahitë elastike janë element shumë i rëndësishëm për parandalimin e aksidenteve ose parandalimin e aksidenteve me fatalitet”, u shpreh eksperti i komunikacionit, Shahini.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në Ferizaj gjatë periudhës janar-tetor janë regjistruar gjithsej 1436 aksidente, prej tyre 563 me lëndime trupore dhe dy me fatalitet.

E Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka sqaruar se në kontratat aktuale te pozicionet e pahive elastike ka sasi shumë të vogla në raport me kërkesat e nevojat në terren.

“Ne si ministri jemi në fazën e përgatitjes së planifikimeve të mirëmbajtjes së sinjalizimit dhe pahive elastike (mbrojtësve të rrugës) për periudhën në vijim për 3 vjetët e ardhshëm dhe se planifikohet sasi më e madhe me qëllim të mbulimit të më shumë pikave të rrezikshme që kanë nevojë për vendosje të mbrojtësve të rrugës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.