Për ta përfituar pensionin, personat me aftësi të kufizuara dhe familjarë të tyre obligohen të paraqiten fizikisht në institucionet pensionale dhe në ato bankare. Përfaqësues të shoqatave që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara ankohen se kjo procedurë, si pasojë e mungesës së ekipeve mobile, e vështirëson qasjen në ndihmë financiare për këta persona
Ndonëse legjislacioni në fuqi ua njeh personave me aftësi të kufizuara një shumë të caktuar si pension mujor, përfitimi i tij mbetet i kushtëzuar nga një numër procedurash administrative.
Për të siguruar përfitimin, ata duhet të paraqiten fizikisht në zyrat pensionale, e më pas edhe në institucione bankare për të hapur llogari.
Drejtoresha e organizatës “Autizmi Flet”, Violeta Hyseni, ka thënë se paraqitja në mënyrë fizike dhe mungesa e ekipeve mobile, si në institucionet publike, ashtu edhe në ato private, përbëjnë barrë shtesë për personat me aftësi të kufizuara dhe për familjarët e tyre.
“Te qendra e pensioneve duhet të shkohet e me pritë me orë të tëra. Është shumë problem. Është shqetësim që e kemi paraqitur disa herë, edhe si organizatë, se përnjëmend po është ajo pritja, tollovia... I caktojnë për një ditë, shumë. Është stres. Edhe për prindër kuptohet, por edhe për personat”, ka thënë Hyseni.
Ajo ka theksuar se prania e ekipeve mobile do t’ua lehtësonte punën edhe përfituesve e edhe familjarëve të tyre.
“Ju e dini, këta me aftësi të kufizuara nuk e kanë edhe durimin, e kanë shumë problem pritjen me orë, duhet prindërit. Unë e kam parë edhe vetë çfarë stresi ka qenë për prindër. Tërë kohën është dashtë të dalin në rrugë, të lëvizin derisa iu ka ardhur rendi”, ka theksuar Hyseni.
Edhe në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës ngrenë shqetësime të ngjashme.
Menaxheri i projekteve në këtë shoqatë, Bekim Krasniqi, ka theksuar se edhe për veprime bazike si përditësimi i të dhënave personale, personat e verbër detyrohen të paraqiten fizikisht, pa marrë parasysh gjendjen e tyre shëndetësore apo vështirësitë në qasje.
“Ish dashtë të lihej opsionale edhe nga bankat apo institucionet e tjera financiare, në këtë rast edhe nëse kalon me postë. Kur të selektohet ai klient i bankës, me u pyet a bën përditësimin me e bë ky ekipi mobil, apo me ardhë në bankë herë pas here. Do të ishte mirë të ishte opsionale. Deri tash nuk është ofruar kjo mundësi. Faktikisht, qysh e kanë praktikë bankat: ta dërgon SMS-in dhe nëse deri në datën e caktuar nuk e bën përditësimin e të dhënave, ndërpriten shërbimet”, ka shprehur brengën Krasniqi.
Për mungesën e ekipeve mobile, KOHA ka adresuar pyetje në Bankën Qendrore dhe në Ministrinë e Financave, porse asnjëri institucion nuk ka ofruar përgjigje.
Deri sivjet, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe personat e verbër, janë detyruar që të dalin në rivlerësim pas çdo 3 dhe 5 vjetësh, për të siguruar vijimësinë e pensionit mujor, si dhe të paraqiten para dy komisioneve mjekësore.
Në një pjesë të madhe të zyrave pensionale, përfshirë zyrën qendrore në Prishtinë, nuk ka as pjerrinë për personat në karrocë.