Arbëri

Mujaj: Pensionistët, që u ishte ndaluar pensioni për mosparaqitje, mund t'u drejtohen gjykatave për kompensim

Muhamet Mujaj, avokati që ka iniciuar përmes padisë ndryshimin e udhëzimit administrativ që obligonte pensionistët të lajmëroheshin çdo gjashtë muaj që janë gjallë, e ka quajtur absurd reagimin e Ministrisë së Financave kur tha se do të dërgojë ekipe mobile për të vizituar pensionistët pas fotografisë ku shiheshin shumë pensionistë në radhë duke pritur.

Sipas Mujajt, Ministria e Financave edhe vetë mund të vendosë për ligjshmërinë e një udhëzimi administrativ.

“Reagimi i Ministrisë së Financave ishte absurd ndaj fotografisë e cila qarkullonte ku shiheshin pensionistët teksa prisnin në radhë për t’u lajmëruar se janë gjallë. Në reagimin e Ministrisë thuhej që shteti dhe institucionet janë përgjegjëse dhe do të fillojnë ta zbatojnë udhëzimin administrativ për të cilin po flasim e që është i kundërligjshëm pjesërisht duke filluar që njësitet mobile të shkojnë dhe t’i vizitojnë pensionistët nëpër shtëpi për të verifikuar a janë gjallë. Ministria e Financave ka edhe vetë mundësi ta vendosë ligjshmërinë e një udhëzimi. Ai që e ka bërë këtë ligj ose ka qenë shumë i padijshëm ose shteti ka menduar t’i plaçkisë qytetarët sepse ai pensionist i cili nuk është paraqitur për verifikim i është ndaluar pensioni”, ka thënë Mujaj.

Avokati Mujaj thotë se kanë qenë të befasuar që një shkelje e tillë ndaj pensionistëve ka vazhduar për 10 vjet dhe se inicimin e ndryshimit të neneve e kishte bërë pasi një ish-kolegut të tij të punës i ishin ndalur tri pensione pasi nuk ishte lajmëruar me kohë.

“Një ish-koleg i punës kishte hasur në padrejtësi nga Administrata Pensionale, ku të njëjtit i ishin ndalur tri pensione sepse nuk ishte lajmëruar me kohë. E kam marrë si çështje, e kam studiuar çështjen e ligjit dhe udhëzimit adminsitrativ dhe e kam parë si avokat që ai udhëzim me disa nene përbën shkelje ligjore, shkelje të lirive të drejtave të njeriut dhe pensionistët për 10 vjet janë trajtuar padrejtësisht. Udhëzimi administrativ është nxjerrë në vitin 2015 dhe jemi befasuar si ka mundësi që kaq shumë vite të vazhdohet me shkelje të tilla”, ka deklaruar Mujaj.

Por, avokati Mujaj ka thënë se të gjithë pensionistëve që iu është bërë padrejtësi duke iu ndaluar pensioni për shkak që nuk janë lajmëruar çdo gjashtë muaj, mund të drejtohen në gjykatat kompetente për kompensim të dëmit.

“Pas vendimit të Gjykatës Supreme, të gjithë pensionistët të cilëve iu është bërë padrejtësi duke ua ndalur pensionin, mund të kërkojnë drejtësi për dëmin që iu është bërë. Konsideroj se gjykatat do t’i trajtojnë këto raste nëse ka. Ne kemi edhe disa ligje për dëmet, është ligji i marrëdhënies së detyrimeve i cili çdokujt që i bëhet dëm ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës kompetente për ta kompensuar atë dëm. Ato raste që janë gjykata do t’i trajtoj me prioritet”, ka thënë Mujaj.

Mujaj ka deklaruar po ashtu që ligji nuk parasheh që pensioni t’i ndalet një pensionisti, çka sipas tij kjo është bërë për 10 vjet ndaj atyre që nuk janë lajmëruar çdo gjashtë muaj. Sipas tij dikush do të duhej të jepte përgjegjësi.

“Për 10 vjet rresht të mos vërehet kjo gjë është shumë e çuditshme. Në bazë të ligjit janë vetëm dy kategori që duhet të lajmërohen çdo gjashtë muaj: kategoria e pensionit të moshës dhe kategoria e pensionit të parakohshëm por jo edhe katër kategori të tjera. Ligjvënësi gjithashtu nuk ka paraparë t’i ndalet pensioni një pensionisti e që për 10 vite vazhdimisht i është ndalur pensioni atyre që nuk kanë arritur të lajmërohen çdo gjashtë muaj. Dikush do të duhej të jepte përgjegjësi për këtë padrejtësi”, ka deklaruar Mujaj.

Gjykata Supreme të mërkurën e 17 dhjetorit, publikoi vendimi me anë të së cilit pensionistët nuk janë të obliguar të paraqiten çdo gjashtë muaj në autoritetet shtetërore për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që t’u vazhdohet pensioni.

Siç ka njoftuar kjo gjykatë, janë shpallur të paligjshme nenet dhe paragrafët që obligonin pensionistët të paraqiteshin çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe masat sanksionuese nëse kjo nuk bëhej.