Njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, ka thënë se kushdo që do të bëhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës “do ta ketë të vështirë që mund t’i bien tamam këpucët e dy ish-kryetarëve, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”.
Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit, Muja ka thënë se sikur ai por edhe emrat tjerë të përmendur për kryetar të partisë do ta kenë të vështirë menaxhimin në kohën e përplasjeve.
“Gjendja në PDK është e tillë që është goxha e vështirë që të gjendet një kandidat që do t’i binin tamam këpucët e Hashim Thacit dhe Kadri Veselit. Secili që vjen do të përballej me probleme të tilla – sa i përket unifikimit të postit të të parit të partisë me kandidatin për kryeministër ishte ndër pikat e dobëta kjo te Bedri Hamza në zgjedhjet e kaluara sepse i mungonte të qenit kryetar i partisë”, ka thënë ai në “60 Minuta” në KTV.
Muja ka thënë se PDK-ja po përballet me fragmentime brenda lidershipit dhe këtë sipas tij e ka pasqyruar edhe deklarata e Enver Hoxhajt të premten, që kërkoi shtyrjen e konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe hodhi kritika për shprehjen e preferencës së ish-kryetarit Memli Krasniqi që Bedri Hamza të jetë kryetar i ri.
Krasniqi e pati marrë detyrën më 2021 pasi Thaçi e Veseli nisën gjykimin në Hagë nën akuzën për krime lufte. E së fundmi, PDK-ja pati përçarje në Drenas në të cilën komunë Ramiz Lladrovci u largua nga PDK-ja dhe si i pavarur e fitoi bastionin. Kjo, si dhe humbja në Mitrovicë, sipas Mujës ishin sinjal që tregonin se “qëndrimi i Krasniqit ishte i pamundur më në atë pozitë”.
Sipas tij, PDK-së i është dashur një zgjidhje e re në prag të zgjedhjeve të reja të parakohshme. Ai ka thënë se Bedri Hamza mund ta ketë preferencën e kryesisë për të qenë kryetar, por sipas tij PDK-së i duhet një garë me më shumë kandidatë. Ai i ka cilësuar si figura unifikuese për PDK-në si Hamzën edhe Enver Hoxhajn.