Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se nuk ka mundësi që t’i jepet një post i rëndësishëm si kryetar i Kuvendit “një partie me dy-tre deputetë”, duke aluduar te Nisma e Fatmir Limaj.
Ka pasur raportime se Limaj po kërkon postin e kryeparlamentarit për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosjen. Në fundjavë, kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka takuar Limajn. Në konferencë për shtyp të hënën, Kurti ka thënë se deri në fund të javës do të dihet se a ka koalicion me Nismën.
Në një intervistë në “Interaktiv”, Muja konsideroi që posti i kryeparlamentarit i takon partisë që ka marrë shumicën, sipas aktgjykimit të Kushtetueses së vitit 2014, dhe është një nga parimet bazë të demokracisë.,
“Nuk mund të negociohet me parimet bazë të demokracisë. T’i jepet posti kaq i rëndësishëm kur ke dy-tre deputetë, nuk ka mundësi ashtu. Deri në fund të javës, besoj që... i është bërë një ofertë Nismës, do të limitohesha në komentim sepse shpresoj që deri në fund të kemi bashkëpunim”, ka thënë ai, teksa Kuvendi ka shkuar në 50 herë dështim për konstituim të Kuvendit.
Tutje, deputeti i VV-së ka thënë se me 42 për qind në zgjedhje, populli i ka dhënë legjitimitetin VV-së për t’i formuar institucionet.
Muja theksoi se partia e tij ka ndjekur procedurat kushtetuese në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës, duke propozuar kandidatin për kryeparlamentar në çdo seancë, ndërsa akuzon opozitën se, ndonëse ka marrë pjesë në seanca, ka refuzuar të votojë, duke e bllokuar procesin.
Ai gjithashtu kritikon qëndrimin e opozitës ndaj kandidates së propozuar të VV-së, Albulena Haxhiu, duke paralajmëruar se nëse palët fillojnë të kontestojnë përfaqësuesit e njëra-tjetrës, vendi mund të futet në një ngërç institucional shumëvjeçar.
Muja e sheh moskonstituimin e Kuvendit si një cikël të rrezikshëm dhe thekson se VV-ja ka qenë pala që ka marrë iniciativat për zhbllokimin e situatës, “por se opozita ka refuzuar bashkëpunimin, edhe kur u janë ofruar mundësi të shumta”.