Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Muja: Në rast të zgjedhjeve të reja, AAK-ja, si dhe Osmani si e vetme s’e kalojnë pragun

Basri Muja

Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka thënë se nuk e sheh ndonjë arsye që Lëvizja Vetëvendosje të dëshirojë të shkojë në zgjedhje për shkak të çështjes së presidentit. Sipas Mujës, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund t’i arrijë 80 deputetë edhe sikur të mbaheshin pesë palë zgjedhje të tjera.

E në rast se do të kishte sërish zgjedhje, analisti Muja ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ishte humbësja më e madhe e cila vështirë se do e kalonte pragun.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Muja deklaroi se as kthimi i Vjosa Osmanit në LDK nuk do të prodhonte ndonjë efekt te kjo parti ndërsa sipas tij në rast se do të garonte e vetme, nuk do e kalonte pragun.

“Nëse do të kishte zgjedhje të reja, humbësja më e madhe do të ishte AAK-ja. Dyshoj shumë që do të arrinte të futet në parlament sidomos nëse shkon e vetme. Shtrati i votuesve të asaj partie është duke u shterur. AAK-ja është një parti regjionale e cila nuk po arrin të rikuperohet nga gjuha dhe qasja e saj e cila është irrituese për opinion. LDK-ja shoh që ka vazhdimisht debate për një kthim të mundshëm të Vjosa Osmanit. Nuk besoj që rikthimi i saj do të prodhojë ndonjë sinergji pozitive. Madje ka shumë njerëz në LDK që e konsiderojnë tradhti largimin e atëhershëm të saj dhe dëmtimin që ia ka bërë kësaj partie, nuk do t’ia falin aq lehtë. Kjo mund të qonte këtë parti në një çarje të madhe. Në rast se do të garonte e vetme, nuk besoj se do e kalonte as pragun”, ka deklaruar Muja.

Profesori Muja ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet të ulet e të flasë me partitë politike për një kandidat konsensual për pozitën e presidentit por që sipas tij, nuk duhet të ofroj bashkëqeverisje.

Muja theksoi se kjo pozitë nuk i takon një partie me 20% të votave të qytetarëve.

“Nuk mendoj që Lëvizja Vetëvendosje duhet të ofroj bashkëqeverisje sepse me 28 dhjetor elektorati i Kosovës ka votuar që institucionet e Kosovës dhe qeverinë ta udhëheq LVV-ja. Nuk ka vend për një parti tjetër. Nuk besoj që asnjë parti do të pranonte të futej në këtë koalicion qeverisës sepse nuk kanë nevojë për asnjë parti e as për votat e tyre. Në një situatë e cila është më e konvenueshme për LVV-në dhe më pakonvenueshme për partnerin e koalicionit, LVV-ja do të mund t’i përjashtonte ata ministra. Prandaj, duhet të ulen e të gjejnë një kandidat konsensual. Kjo nuk ia jep të drejtën një partie me 20% të kërkojë presidentin, nuk i takon”, ka thënë Muja.

Sipas Mujës, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arsye që të dëshirojë të shkojë në zgjedhje sepse 80 deputetë nuk mund t’i arrijë edhe sikur të mbaheshin pesë palë zgjedhje të tjera.

“Zgjedhjet e fundit kanë prodhur një shumicë shumë stabile, e paparë ndonjë herë në historinë politike të Kosovës. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye të dëshirojë të shkojë në zgjedhje apo t’i konvenojë diçka e tillë. Edhe pesë palë zgjedhje nëse mbahen nuk mund t’i arrijnë 80 deputetë andaj nuk shoh ndonjë arsye t’i konvenojnë zgjedhjet”, ka deklaruar Muja.

Dy javë kanë mbetur deri te afati  kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Nga skena politike nuk ka asnjë shenjë deri tash që mund të arrihet pajtueshmëri për këtë çështje.

Opozita e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është i interesuar për zgjidhje dhe se do ta dërgojë vendin në zgjedhje. Në anën tjetër nga Qeveria kanë deklaruar në vazhdimësi se duhet arritur zgjidhje dhe të shmanget edhe një proces tjetër zgjedhor.

Aktualisht, koalicioni i ndërtuar nga Vetëvendosje ka 66 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 15 e AAK-ja gjashtë.

Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në dy raundet e para. Në garë janë dy kandidatët e Vetëvendosjes, të cilët në seancën e 5 marsit nuk arritën të sigurojnë as kuorumin për nisjen e votimit.