Arbëri

Muja i konsideron “propagandë të ndytë” akuzat e opozitës për importin e rrymës nga Serbia

Armend Muja

Foto: Driton Paçarada

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se pretendimet e opozitës se u importua rrymë nga Serbia edhe më 28 nëntor janë propagandë e ndytë, duke shtuar se importi nga ky vend është minimal dhe nuk ka ndikim në furnizimin e vendit.

Në një konferencë për media të mërkurën, Muja u shpreh se importi nga Serbia përbën më pak se 1% të energjisë totale, ndërsa pjesa tjetër e importit vjen nga Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia dhe Danimarka.

Ai u shpreh se pretendimet e opozitës për sektorin e energjisë elektrike janë të përsëritura që nga koha kur VV-ja ka ardhur në pushtet dhe nuk pasqyrojnë realitetin.

Muja gjithashtu ka sqaruar çështjen e lidhjes së VV-së me kompaninë NOA Energy. Ai theksoi se askush nga VV-ja nuk ka pasur lidhje me NOA-n, e cila sipas tij, ka hyrë në Kosovë përmes KOSTT-it që nga viti 2017.

Kontratat e para me Vuk Hamoviqin, sipas Mujës, janë nënshkruar nga zyrtarë që nuk kanë lidhje me VV-në, përfshirë edhe periudhën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Më 15 janar 2018 u nënshkrua kontrata ndërmjet NOA Energy dhe KOST-it, përfaqësuar nga Kadri Kadriu. Më 9 maj 2019 u nënshkrua kontrata ndërmjet KEK dhe NOA, nënshkruar nga Gentian Skendersula dhe Njazi Thaçi. Kjo kontratë skadoi e më 11 shtator 2021 kontrata e re u nënshkrua nga Përparim Kabashi, katër ditë para ardhjes së Nagip Krasniqit në krye të KEK”, ka thënë ai.

Muja theksoi se Kabashi ka qenë i deleguar nga LDK-ja, jo nga VV-ja, dhe se të gjitha kontratat kanë për qëllim mbulimin e humbjeve të energjisë në katër komunat e veriut. Ai vlerësoi se kostoja totale e këtyre kontratave arrin në rreth 400 milionë euro, të cilat ish-deputeti i VV-së ka thënë se i ka marrë Vuk Hamoviqi.

Ditëve të fundit, partitë opozitare kanë hedhur akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se kjo e fundit ka importuar energji elektrike në sasi të mëdha, ku përfitues i këtij procesi thuhet se ka qenë Vuk Hamoviq, i biri i ish-shefit të Armatës Jugosllave, Rade Hamoviq.

Vuk Hamoviq, përmes kompanisë së tij EFT, është një prej furnizuesve kryesorë të energjisë elektrike në Ballkan. Më parë, kanë qarkulluar akuza se VV-ja ka importuar rrymë përmes kompanisë NOA, e cila ka lidhje indirekte me EFT-në e Hamoviqit.