Arbëri

Muja preferon koalicion me LDK-në, e kundërshton atë me PDK-në

Armend Muja

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se për të më i preferuar është një koalicion me LDK-në dhe jo një me PDK-në.

Lëvizja Vetëvendosje pas fitores me 42 për qind në zgjedhjet e shkurtit i ka bërë thirrje për koalicion LDK-së, por kjo parti ka refuzuar. Pas dështimit për të formuar qeverinë me dy mandatarë, vendi do të mbajë sërish zgjedhje më 28 dhjetor.

Në “Konfront” të KTV-së, Muja ka thënë se “VV-ja do t’i ketë numrat për të qeverisur vetëm me komunitetet”.

“Por edhe në rastin kur nuk ka qenë ashtu, personalisht gjithmonë kam avokuar për opsion të bashkëpunimit, që oferta e parë t’i bëhet LDK-së. Po flas për mandatin paraprak. E favorizoj bashkëpunimin edhe me subjekte të tjera, LDK-në e AAK-në... në baza programore. Besoj se janë bashkëpunime të natyrshme për shkak të vullnetit të qytetarëve. Por nganjëherë nuk varet shumë çka kërkojmë ne. Iu bë ofertë disa herë LDK-së e bashkë me Nismën mund të sillnim dhe presidentin...”, ka thënë ai fillimisht. I pyetur për koalicion të mundshëm me PDK-në ka thënë se personalisht e kundërshton.

“Politikbërie e interesi shtetëror duhet të jenë parimore. Parimi numër një i qytetarëve është që metodat e vjetra si pazari, monopoli nuk shkojnë më në Kosovë. E vjetra nuk rikthehet dot”, ka thënë ai.


Muja: Opozita ka luajtur bixhoz me fatin e popullit

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, e ka cilësuar lojë bixhozi me fatin e qytetarëve, mosvotimin e buxhetit të vitit 2026 nga opozita.

VV-ja tentoi në mes të nëntorit që ta mbajë një seancë të jashtëzakonshme pak para votimit të mandatarit të dytë për kryeministër. Por partitë që ishin në opozitë s’morën pjesë. Rrjedhimisht Kuvendi s’e ka miratuar buxhetin 2026. E për shkak të dështimit edhe të mandatarit zgjedhjet u caktuan për 28 dhjetor. Tani Kuvendi është i obliguar që me legjislaturën e re ta miratojë buxhetin deri në mars. 

“Kam insistuar që të miratohet buxheti sepse në asnjë moment nuk guxojmë nga veprimi a mosveprimi, taktizimet të rrezikohen pagat, shtesat dhe pensionet, investimet kapitale. Këtu ka gjykime jo ky kështu jo ashtu... kanë vepruar pa strategji... Kanë bërë gabim të madh. Kanë luajtur bixhoz me fatin e qytetarëve”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.

Sipas Mujës, “urrejtja politike ndaj Albin Kurtit ua ka terravë sytë opozitarëve edhe në veprimet racionale politike”.


Muja: Bllokadat fillimisht ishin lojë e PDK-së, pastaj u bënë të LDK-së

Armend Muja, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë lojëra me marrëveshjet ndërkombëtare në vitin e fundit të Qeverisë Kurti “si taktikë për të bllokuar kundërshtarin politik”. Megjithatë, sipas tij, në dy-tri vitet paraprake bllokuese ka qenë vetëm Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas tij, VV-ja ka ndërmarrë disa veprime “për të zhbllokuar” çështjen e buxhetit të shtetit, por edhe të tri komunave për vitin 2025.

Të martën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh se ka ofruar votat e kësaj partie në ditën e nominimit të Glauk Konjufcës për kryeministër, për votim në pako në Kuvend për çështjet e buxhetit dhe ligjeve të tjera, por sipas tij, nuk ka pasur lëvizje nga pushteti edhe pse i është thënë paraprakisht se janë pro.

E sipas Mujës “kjo ka qenë vetëm lojë”.

“Ne kemi ftuar seancë pikërisht për këtë pako. Ka shkarje logjike. Pikat ishin të ndara por mund të votonin. Por nuk erdhën fare. Kur dështoi mandatari bëmë prapë insistim që të bëhet bile votimi i tyre prapë nuk pati përkrahje. Gjykoj që ky ka pasur një çështje për datën e zgjedhjeve. Ka tentuar ta kushtëzojë përkrahjen me datën e zgjedhjeve”, ka thënë Muja të enjten në “Konfront”. “E them me përgjegjësi të plotë, këto lojëra me marrëveshje ndërkombëtare i kanë provuar çdo fundvit si taktizim për të bllokuar kundërshtarin politik. Ka qenë e PDK-së në dy -tri vitet e para e në vitin e fundit u bë taktikë e të gjithëve”.

Muja ka thënë se po që se ka dashur që të kalonte ndonjë pikë të caktuar, LDK-ja ka mundur të thërrasë edhe seancë për vetëm një pikë.

Sa i përket buxhetit të bllokuar të kryeqytetit, Muja ka thënë se bëhet fjalë për bllokada të qëllimshme, joprofesionalizëm e sjellje nonshalante të kryetarit Përparim Rama.