Arbëri

MPJD-ja ka listë rekomandimesh për t’iu përgjigjur arrestimeve nga Serbia, por s’ka ndërmarrë veprime

Rekomandime të ndryshme ka pasur në të kaluarën brenda Ministrisë së Jashtme se si të adresohet fushata e Serbisë për arrestimin e shtetasve të Kosovës, por të cilat nuk janë jetësuar deri më tash. Mes tjerash është kërkuar që institucionet të përfshihen në bashkëpunim me kompanitë e transportit të udhëtarëve të regjistruara në Kosovë, për të subvencionuar linjat e reja të qarkullimit; të ndërmerren fushata sensibilizuese si dhe të bëhet ndërlidhja e sistemit të menaxhimit të kufirit me të dhënat jokonfidenciale për pjesëtarët e forcave të sigurisë dhe për veteranët e UÇK-së

Përveç denoncimeve publike, Ministria e Jashtme nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim në raport me fushatën e Serbisë për t’i arrestuar shtetasit e Kosovës që kalojnë në territorin e saj. 

Kryesisht tri kategori kanë qenë cak i arrestimeve nga autoritetet e Serbisë: ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare, pjesëtarët e organeve të sigurisë së Kosovës si policë e ushtarë të FSK-së, si dhe qytetarë serbë të cilët Beogradi i konsideron bashkëpunëtorë të institucioneve të Kosovës. 

Vetëm nga qershori i këtij viti Serbia ka arrestuar 8 qytetarë shqiptarë të Kosovës.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministri lidhur me këtë çështje dhe nëse planifikohen masa konkrete, por ka munguar përgjigjja. 

E burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme i kanë thënë KOHËS se në të kaluarën mekanizma brenda këtij dikasteri kanë propozuar masa proaktive për t’iu paraprirë këtyre situatave, të cilat mund të aktivizohen edhe tash. Kjo sjellje e Serbisë shihet si një projeksion afatgjatë i qasjes së tyre, pra rolit të saj në fqinjësi. Ajo, sipas burimeve, nuk pritet të ndryshojë pavarësisht vendosjes apo jo të ndonjë bashkëpunimi eventual ndërkombëtar në të ardhmen, dhe sipas vlerësimeve brenda MPJD-së, “këtë sjellje të Serbisë nuk do ta ndryshonte as ekzistenca eventuale e një marrëveshjeje të Brukselit, ngase Serbia njihet për shkeljen e marrëveshjeve aktuale”. 

Mes tjerash, është kërkuar që institucionet të përfshihen në bashkëpunim ekskluzivisht me kompanitë e transportit të udhëtarëve të regjistruara në Kosovë, për të subvencionuar linjat e rregullta të qarkullimit. Kjo do të parandalonte rritjen e kostos së udhëtimit për ata udhëtarë që përdorin autobusët dhe do ta kthente qarkullimin ekonomik në vend. Kësisoj, kostoja shtesë shkaku i kalimit në shtete tjera të rajonit, do të mbulohej nga qeveria. 

Po ashtu është rekomanduar që të subvencionohen vetëm kompanitë e licencuara të RKS-së sa i përket kostos së fuqisë së tyre punëtore, si p.sh. shoferët e autobusëve dhe stafi shoqërues. Është kërkuar të subvencionohet polica e sigurimit për diasporën (dhe anasjelltas), përmes pikëkalimeve që nuk kufizohen me Serbinë, duke u mbështetur në partneritet me sigurues dhe transportues të regjistruar në RKS. Paralelisht, është sugjeruar që të ndërmerret një fushatë mediatike dhe publike, e cila do të ishte e përditësuar vazhdimisht, për të inkurajuar qytetarët dhe diasporën të mos e përdorin Serbinë si vend transit. Një aspekt tjetër është ndërlidhja e sistemit të menaxhimit të kufirit me të dhënat jokonfidenciale për pjesëtarët e forcave të sigurisë dhe për veteranët e UÇK-së, dhe njëkohësisht të nxirren vendime dhe njoftime nga nivelet respektive dhe shoqatat për të ndaluar dhe dekurajuar transitin përmes Serbisë. Nxjerrja dhe përditësimi i urdhrave zyrtarë shihet si një instrument i duhur gjithashtu. Rekomandim ka edhe për avokatët e Kosovës, që përfshirja dhe ndërmjetësimi në rastet eventuale të arrestimeve, qoftë drejtpërdrejt, qoftë në bashkëpunim me avokatë të licencuar në Serbi, mund të përbëjë shkelje për masë disiplinore dhe pezullim të licencës.

Përfshirjet me elemente juridike që shkojnë përtej asaj konsullore e diplomatike, sipas burimit në MPJD, janë lojë me publikun dhe nuk i bëjnë nder Kosovës. 

Të dielën është ndaluar ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Nexhat Pireva, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ndërsa po udhëtonte me familjen drejt Bujanocit. Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se ai është marrë në pyetje për rreth katër orë dhe më pas është liruar. Ky rast është pjesë e një serie ndalesash nga autoritetet serbe, të cilat kanë marrë intensitet muajt e fundit. 

Të martën e javës së shkuar në Serbi është arrestuar edhe Avni Qenaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me pretekstin autoriteteve në Beograd se “ka qenë pjesë e një organizate terroriste”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Qenaj në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në Komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në betejën e Koshares në vitin 1999. 

Qenajt i është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

10 ditë më parë autoritetet serbe e liruan nga paraburgimi pas afro 5 muajsh ish-policin Arbnor Spahiu, i cili ishte ndaluar nën dyshimet për “vrasje të rëndë”, lidhur me ngjarjet në Banjskë në vitin 2023. Spahiu nuk kishte qenë pjesë e Policisë së Kosovës kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. 
Pas mbërritjes në Kosovë, Spahiu është pritur nga presidentja Vjosa Osmani, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sidomos atyre që planifikojnë të udhëtojnë për festat e fundvitit, që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë. 

Në shtator të këtij vitit është arrestuar edhe 77-vjeçari Hazir Haziri nga Podujeva, nën dyshimet “për krime lufte”. 

Veprime urgjente nga institucionet e Kosovës për lirimin e tij ka kërkuar së fundi ish-deputeti Besnik Tahiri i cili, siç ka thënë ai, po mbahet nën akuza të pabazuara për krime lufte. 

“Ky burgim i zgjatur është i padrejtë, ka motive politike dhe në kundërshtim të hapur me të drejtat elementare të njeriut. Vazhdimi i mbajtjes së tij paraqet rrezik real për shëndetin dhe jetën e tij. Sipas Marrëveshjes të vitit 2015, rastet e dyshuara për krime lufte ndaj shtetasve të Kosovës duhet të trajtohen nga gjykatat e Kosovës, prandaj kërkojmë urgjentisht lirimin e tij ose transferimin e rastit në Kosovë”, ka thënë Tahiri. 

E derisa po kthehej nga Gjermania, në gusht u arrestua Behar Preniqi, nën dyshimet për krime lufte. Në atë kohë ishin arrestuar dhe më pas liruar edhe vëllezërit Bashkim dhe Xhemajl Emini.
E në korrik është arrestuar Lulzim Halili nga Peja, edhe ai nën dyshimet për “krime lufte”, si pjesëtar i UÇK-së.

Arrestime ka pasur edhe tek radhët e komunitetit serb. Disa ditë para rundit të balotazhit për zgjedhjet lokale, i mbajtur më 9 nëntor, u plagos dhe më pas u arrestua Milan Vukashinoviq, punonjës i një kompanie kosovare të sigurimit. Sipas autoriteteve të Kosovës, Vukashinoviq u qëllua dhe u arrestua nga xhandarmëria e Serbisë brenda territorit të Kosovës. 

Ish-zëvendësministri në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq, i cili është interesuar për gjendjen e Vukashinoviqit, me kërkesë të familjes kishte thënë se Serbia e pati në sy të keq Vukashinoviqin meqë ai nuk hoqi dorë nga puna e tij në Byronë Kosovare të Sigurimeve as më 2022-n, kur persona të panjohur i vendosën eksplozivë në veturë. Ky nuk është kërcënimi i parë që ai e mori, pasi në janar të 2020-s, u pat arrestuar në Serbi vetëm pse punonte në një kompani anëtare të Byrosë së Sigurimeve. 
MPJD-ja por edhe presidentja Vjosa Osmani disa herë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë.