Misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës janë furnizuar me një kontingjent të flamujve me logon e UÇK-së. Përveç pranimit të dërgesës, zyrtarë të këtyre misioneve thonë se nuk kanë marrë kurrfarë udhëzimi si të veprohet, as informacione për qëllimin e përdorimit. Derisa MPJ-ja nuk ka ofruar sqarime, në Zyrën e Kryeministrit Hoti nuk janë në dijeni për këtë ndërmarrje, e cila vjen disa javë pas konfirmimit të aktakuzave ndaj ish-udhëheqësve të lartë të UÇK-së
Ministria e Punëve të Jashtme ka dërguar nëpër misionet diplomatike dhe konsullore një kontingjent të flamujve me logon e UÇK-së. Dërgesa është realizuar nëpërmjet postës së shpejtë DHL. Përveç dërgesës, ka munguar një shpjegim dhe udhëzim nga Ministria sesi të veprohet me këta flamuj. Kjo është konfirmuar nga përfaqësues diplomatikë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
“Javën e kaluar ka arritur në përfaqësinë tonë diplomatike një flamur me stemën e UÇK-së. Por, nuk kemi pasur ndonjë udhëzim apo shpjegim sesi të veprohet me të. Vetëm e dimë se ata i ka dërguar Ministria e Punëve Jashtme”, ka thënë ky zyrtar.
Disa punonjës kanë postuar edhe fotografi në rrjete sociale me simbolin e UÇK-së.
“Koha” ka pyetur prej të hënës në Ministrinë e Punëve të Jashtme për qëllimin e dërgimit të flamujve, por ata nuk janë përgjigjur.
E, në Zyrën e Kryeministrit Avdullah Hoti thonë se nuk kanë asnjë informacion për këtë dërgesë.
“Zyra e KM nuk ka asnjë informacion për këto zhvillime. Ju lutem të komunikoni me MPJD-në për t’u siguruar nëse këto informata janë të qëndrueshme”, ka thënë Antigona Baxhaku, drejtore e ZKP-së.
Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës e përcakton se cili simbol duhet të vendoset brenda dhe jashtë vendit.
“2.1. Simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës janë: flamuri, stema dhe himni. 2.2. Me flamurin, stemën dhe himnin përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti shtetëror i saj”, thotë Ligji.
Sipas tij, flamuri shtetëror gjithmonë vendoset në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit.
“Flamuri shtetëror gjithmonë vendoset: a) në ndërtesa, në të cilat është selia e kryetarit të Republikës së Kosovës, selia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, selia e Qeverisë së Republikës së Kosovës; b) në pikat e kalimeve kufitare; c) në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit, të cilat i përdor udhëheqësi i përfaqësisë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, në përputhje me dispozitat ndërkombëtare, në të cilin është përfaqësia, përkatësisht në përputhje me rregullat dhe praktikat e organizatës ndërkombëtare, pranë të cilës është përfaqësia”, shkruan në Ligj.
Ky veprim i MPJ-së vjen disa javë pas ngritjes së aktakuzave ndaj ish-udhëheqësve të lartë të UÇK-së, të cilët dyshohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pas aktivizimit të Speciales, ka nisur edhe një fushatë me emrin “Liria ka emër”.