Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar lidhur me vjedhjen e targave të veturave të kosovarëve në Lubjanë, gjatë së shtunës kur u mbajt ndeshja Kosovë-Slloveni.
Në një postim në faqen zyrtare të Ministrisë thuhet se Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni ka njoftuar se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Slloveni–Kosovë, ka pranuar disa thirrje telefonike nga shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët kanë raportuar mungesën e targave të veturave të tyre.
“Bazuar në raportimet e deritanishme, dyshohet se disa veturave u janë hequr targat. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar. Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni po merret me rastin dhe po bashkërendon veprimet me autoritetet përkatëse. Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin ka lajmëruar më herët gjatë ditës edhe Ambasada e Kosovës në Slloveni.
Në njoftimin e saj thuhet se të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët kanë mbetur pa targa të veturave, të lajmërohen për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin e tyre në vend.
Fillimisht u është kërkuar që rastet të paraqiten në Policinë e Sllovenisë.
Të shtunën kur u mbajt loja mes Kosovës dhe Sllovenisë është raportuar se disa prej atyre që udhëtuan me vetura, u janë marrë targat. Siç kanë raportuar disa qytetarë në adresën e Kohës, kjo ka ndodhur kryesisht për personat, veturat e të cilëve kanë qenë të parkuara rreth stadiumit.
KOHA ka dërguar pyetje në adresën e Policisë së Sllovenisë për të kuptuar më shumë rreth rastit dhe sapo të marrë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
Kosova i shkaktoi humbje të rëndë Sllovenisë të shtunën mbrëma. Pos në fushë, disfata ishte e rëndë për sllovenët edhe në tribunat e stadiumit në Lubjanë.
Mediumet sllovene kanë publikuar tekste të shumta për numrin e madh të shikuesve të Kosovës në tribunat e stadiumit “Stozhice”.
Sigurimi i plejofit për kualifikim në Botëror nga Kosova ka bërë bujë edhe në vendet e regjionit.
Hapësirë këtij suksesi i kanë kushtuar edhe mediumet serbe, por duke tentuar njëkohësisht të mohojnë përfaqësuesen e Kosovës në futboll.