Moti gjatë javës së ardhshme parashihet të jetë me temperatura të larta dhe kushte të qëndrueshme meteorologjike.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka thënë se rekomandohet shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell nga ora 10:00 deri në ora 17:00.
“Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të mesditës, nga ora 10:00 deri në 17:00. Kujdes i veçantë duhet të tregohet për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Sugjerohet të vishen rroba me ngjyra të hapura dhe të konsumohet sa më shumë lëngje, veçanërisht ujë”, ka njoftuar IHMK-ka.
Të hënën moti do të jetë me diell e vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin mes 7-10 gradë celsius e maksimalet mes 25-29 gradë.
Të martën do të jetë mot me diell e pjesërisht i vranët. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri 30 gradë celsius. Të mërkurën do të jetë mot afërsisht i njëjtë, ndërsa temperaturat do të arrijnë deri 31 gradë celsius. Të enjten moti do të jetë me diell e pak vranësira, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin mes 9-12 gradë celsius e maksimalet mes 28-32 gradë.
Të premten moti parashihet të jetë me diell e vranësira të shpërndara.
Temperaturat minimale do të lëvizin mes 9-13 gradë celsius, e maksimalet mes 29-33 gradë.