Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë mendime të ndryshme se kur vendi do t’i kthehet normalitetit. Ndërkohë, infektologët kanë shprehur shqetësimin e tyre për mundësinë e rritjes së numrit të të infektuarve, shkaku i tubimeve që po i mbajnë partitë politike dhe mosrespektimit të masave anti-COVID
Prishtinë, 6 shkurt – I përkasin një kabineti qeveritar, por kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë mendime të ndryshme sa i përket kthimit të normalitetit në vend pas situatës me COVID-19.
Gjatë një vizite në Spitalin e Vushtrrisë të shtunën, Zemaj ka thënë se vaksina për koronavirus do të vijë së shpejti derisa, sipas tij, në muajin qershor dhe korrik, vendi do t’i kthehet normalitetit.
“Vaksina po vjen, prioritet i vaksinimit do të jetë personeli shëndetësor dhe shpresojmë së në qershor dhe korrik t’i kthehemi normalitetit në vend”, ka thënë Zemaj.
Por, shefi i tij, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti pak ditë më parë kishte deklaruar se në fillim të stinës së pranverës do të kthehet normaliteti në vend.
“Me vaksinat që fillojnë të vijnë në muajin shkurt, në pranverën e hershme ne i kthehemi plotësisht normalitetit dhe çdokush, çdo biznes, çdo qytetar mund të bëjë planifikime nga marsi prilli e tutje, për t’iu kthyer, jetës dhe biznesit”, kishte deklaruar Hoti.
E asnjëri nga ta nuk kanë dhënë një datë të saktë se kur do të arrijë vaksina në Kosovë.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik betejën me COVID-19 ka humbur një person dhe janë shënuar 321 raste të reja të infektimit.
Sipas këtij raporti, të shëruar janë 313 persona. Numri total i rasteve pozitive që nga 13 marsi ka arritur në mbi 62 mijë, derisa ai i të vdekurve 1 mijë e 520. Të shëruar janë 53 mijë e 768 raste, ndërsa raste aktive 6 mijë e 721.
Ndërkohë, trajtimi i pacientëve me plazmë gjaku të personave që kanë qenë të infektuar tashmë ka filluar.
Megjithatë, infektologët kanë paralajmëruar se në javët në vazhdim Kosova mund të regjistrojë rritje të rasteve të reja me koronavirus edhe për faktin se partitë politike po zhvillojnë tubime elektorale, në të cilat, në shumtën e rasteve nuk po respektohen masat kundër pandemisë.
E Policia ka vazhduar që të gjobisë qytetarët që nuk i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19, edhe pse ka pasur akuza për standarde të dyfishta nga ana e tyre.
Kjo, pasi qytetarët thonë se Policia nuk po i gjobit aktivistët partiakë që po marrin pjesë në tubime zgjedhore, pa maska e pa distancë.