Arbëri

Monitoruesit e opozita akuzojnë ekzekutivin në Shtime për mbajtjen e mbledhjes së KK-së në Shqipëri

Një pjesë e kuvendarëve të Shtimes për dy ditë me radhë kanë qëndruar në Shqipëri për ta mbajtur mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal dhe për ta festuar 28 Nëntori.

Por shpenzimet e ekzekutivit për këtë destinim janë kundërshtuar nga monitoruesit e Komunës.

Organizata joqeveritare “YAHR”, ka bërë me dije se në këtë kohë të krizës, ekzekutivi i Shtimes po shpenzon buxhetin e taksapaguesve për luks.

“Si organizatë shprehim shqetësimin lidhur me thirrjen e mbledhjes së 11-të të Kuvendit Komunal të Shtimes që të mbahet në Vlorë të Shqipërisë me datën 28 nëntor 2022. Ne si organizatë monitoruese nuk e shohim të arsyeshme mbajtjen e kësaj mbledhje jashtë shtetit për disa arsye: Kosto shtesë për anëtaret dhe stafin teknik të kuvendit komunal në transport, akomodim dhe shpenzim për sallë e cila do të jetë në dëm të tatim paguesve të qytetareve të Komunës së Shtimes”, thuhet në shkresën e kësaj OJQ-je.

KOHA ka kontaktuar me drejtorin e kësaj OJQ-je, Bekim Krasniqi, i cili ka thënë se mundësia e marrjes së mëditjeve të anëtareve të Kuvendit, si vizitë jashtë shkon në dëm të qytetareve të Shtimes, pastaj, mundësin e konfliktit të interesit, ulja e transparencës, që ka të bëjë me mostransmetimin live të seancës për qytetarët e Komunës së Shtimes, pasi që sipas tij, kjo mbledhje do të mbahet jashtë kushteve dhe mundësive që i ja ofron salla e Kuvendit Komunal.

“Po ashtu kemi edhe arsyeje të tjera që qytetarët e Shtimes nuk do ta kenë mundësinë të marrin pjesë në këtë mbledhje, andaj edhe në këtë rast kemi të bëj me shkelje të nenit 37 pika 1 të statutit të komunës dhe nenit 45 të ligjit NR. 03/L-040 për vetëqeverisje lokale lidhur me takimet e hapura”, ka thënë Krasniqi.

Rreth kësaj çështje ka reaguar edhe kryetari i PDK-së në Shtime , Rrahman Jakupi i cili e ka kundërshtuar shkuarjen në Shqipëri për mbajtjen e mbledhjes së KK-së.

“Vizitat në këtë kohë krize ekonomike dhe sociale në syrin e qytetarit shihen si shpenzim i panevojshëm dhe shpenzim luksi përderisa gjendja e rëndë e qytetarëve është duke i rritur dita e ditës dhe ata presin më shumë përkushtim dhe angazhim në zgjidhjen e problemeve të tyre se sa që mund t’ju interesojë vizita e pushtetit në Shqipëri. Ne pas pranimit të ftesës për mbajtjen e kësaj seancë do të marrim qëndrimin”, ka thënë Jakupi.

Në anën tjetër me gjithë insistimin e KOHËS, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, nuk është përgjigjur në telefon gjatë së hënës për të marrë një deklaratë lidhur me këtë çështje.