Monitorues të punës së Kuvendit shprehën vërejtje për nivelin e respektimit të rezolutave të miratuara, tek i kërkuan më shumë përgjegjësi pushtetit për këtë çështje. E moszbatimin e tyre e kualifikuan si të dëmshëm për demokracinë si dhe për rolin që e ka Kuvendi
Kryeministri Albin Kurti të premten do të raportojë para deputetëve rreth takimit të javës së shkuar në Bruksel me përfaqësues të Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut.
Raportimi është rezultat i kërkesës së adresuar nga opozita e jo si pjesë e obligimit që parashihet me Rezolutën e Kuvendit për raportimin e kryeministrit, para dhe pas çdo raundi të dialogut.
Monitorues të punës së Kuvendit shprehën vërejtje për nivelin e respektimit të rezolutave. E sipas Arbër Thaçit, nga Instituti Demokratik i Kosovës, respektimi i tyre duhet të jetë obligim për Qeverinë.
“Në rendin ekzistues apo rregullimin e tanishëm, rezoluta dhe përmbajtja e tyre shndërrohet menjëherë në një vendimmarrje të ekzekutueshme, që duhet të konsiderohet prej ekzekutivit, pa hamendje”, ka thënë Thaçi.
Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se moszbatimi i rezolutave ndikon negativisht në rolin e Kuvendit.
“Kemi nenin 92 të Kushtetutës, ku Qeveria obligohet t’i zbatojë ligjet dhe të gjitha vendimet tjera që i prodhon Kuvendi. Rezoluta është një vendim, të cilin duhet ta zbatojë... Kuvendit i humbet pesha kur miratohen shumë rezoluta dhe kur shumë prej tyre nuk zbatohen në tërësi”, ka deklaruar Jakaj.
Tri rezoluta të propozuara nga opozita pritet të trajtohen në seancat e Kuvendit që do të mbahen brenda kësaj jave. Partia në pushtet, me anë të mospjesëmarrjes në seanca, deri tash e ka pamundësuar miratimin e dy prej tyre.
Këtë, Thaçi nga KDI-ja e interpreton si joseriozitet të skajshëm të shumicës parlamentare.
“Refuzimi i deputetëve të pushtetit, në kuptimin e një organizimi kolektiv për të bojkotuar propozim-rezolutat që vijnë nga ana e partive opozitare, paraqet një lloj papërgjegjësie të pahasur në Kuvendin e Kosovës më parë. Në kuptim të mosushtrimit të funksionit dhe përgjegjësive që kanë. Është një lloj shkelje krejt elementare”, ka shtuar Thaçi.
Por Jakaj shpreh mendimin se rezolutat e pamiratuara të opozitës e kanë shtyrë Qeverinë ta përshpejtojnë procesin e vendimmarrjes në Ekzekutiv e në legjislativ. Si shembull numëroi shtesat e rrezikshmërisë për Policinë, që Qeveria i propozoi disa ditë pas prezantimit të rezolutës nga PDK-ja.
“Kjo është një gjë e mirë kur propozohen nga partitë parlamentare opozitare edhe kur ato nuk votohen sepse ato janë edhe shtysë që Qeveria të marrë veprime në mënyrë efektive dhe sa më të shpejtë”, është shprehur Jakaj.
Gjatë kësaj legjislature, Kuvendi u dha miratimin 9 rezolutave, teksa në total janë 68 syresh.