Arbëri

Mohimi i krimeve nga Serbia shihet si kërcënim serioz për të ardhmen dhe stabilitetin rajonal

Në Shtime u organizua një tryezë shkencore për masakrën e Reçakut. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë tha se mohimi i krimeve serbe është kërcënim i drejtpërdrejtë për të ardhmen dhe minon drejtësinë, pengon pajtimin e sinqertë dhe mban tensione që rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Në prag të 27-vjetorit të masakrës së Reçakut është organizuar tryezë shkencore në Shtime, në të cilën është dhënë vlerësimi se mohimi i krimeve nga Serbia përbën kërcënim serioz për të ardhmen dhe stabilitetin rajonal.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka kritikuar udhëheqësit e Serbisë që vazhdimisht kanë mohuar këtë krim lufte.

“Mohimi i krimeve serbe në Kosovë, nuk është thjesht mohim i së shkuarës, ai është kërcënim i drejtpërdrejtë për të ardhmen. Ai minon drejtësinë, pengon pajtimin e sinqertë dhe mban tensione që rrezikojnë stabilitetin rajonal. Pa drejtësi, pa përgjegjësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme”, ka thënë Malaj në tryezën e të mërkurës.

E, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë se pas masakrës ndërkombëtarët e kanë rritur presionin mbi Serbinë.

“Masakra e Reçakut nuk është se është më e madhja apo më e përgjakshmja, se ka edhe të tilla që janë kryer, siç është Izbica, siç është Meja, Rahoveci, por Reçaku e ka rolin e vet në historinë më të re të Republikës së Kosovës, të shtetit tonë sepse aty falë një burri qe është ambasadori William Walker që më 15 janar 1999 në kuadër të misionit ndërkombëtar qëlloi aty dhe denoncoi krimin makabër të Millosheviqit, ajo u bë kthesë e madhe historike”, ka theksuar Aliu.

Ambasadori Walker ka qenë udhëheqës i ekipit verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe pasi i ka parë viktimat e masakrës, e ka cilësuar rastin si krim kundër njerëzimit. 

Ai është pritur të mërkurën nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e ka vlerësuar kontributin që Walkeri e ka dhënë gjatë drejtimit të misionit.

“Kryeministri u shpreh se është gjithmonë i lumtur ta mirëpresë dhe ta takojë ambasadorin Walker, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për rolin historik që ai ka pasur për popullin e Kosovës në ekspozimin e krimeve gjenocidale të Serbisë”, është thënë në njoftimin e lëshuar nga Qeveria. 

Ceremonia përkujtimore për masakrën e Reçakut do të mbahet të enjten, në Komunën e Shtimes. E, gjatë ditës do të bëhen edhe homazhe në kompleksin memorial.