Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ende nuk i ka dhënë përgjigje kompanisë “Kelkos” rreth aplikimit për leje mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi 2”. Vitin e kaluar këtij hidrocentrali nuk iu dha licenca shkaku i mosrehabilitimit të zonës. Banorë e pjesëtarë të shoqërisë civile thonë se nuk ka ndryshuar asgjë në këtë drejtim
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka 620 ditë që po e mban në shqyrtim aplikimin për leje mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi 2” të kompanisë “Kelkos”.
Shkaku i mosrehabilitimit të zonës dhe mospërmbushjes së kushteve sidomos për dëmet e shkaktuara në Zallin e Rupës, ky hidrocentral nuk është pajisur me leje mjedisore vitin e kaluar.
Banorët dhe anëtarët e shoqërisë civile thonë se në atë pjesë nuk ka ndryshuar asgjë dhe se Ministria duhet ta përmbyllë këtë procedurë me refuzim të dhënies së lejes.
Muharrem Lulaj nga fshati Bellej i Deçanit thotë se kompania ka bërë dëme të mëdha të natyrës në atë pjesë.
“Kompania ‘Kelkos’ i ka shkaktuar dëme natyrës, e ka shkatërruar rrugën, i ka shkatërruar dy burime që kanë qenë, janë shuar krejt, lumenjtë i ka shkatërruar dhe gjithçka ka shkatërruar në tërësi”, ka theksuar ai.
Shpresa Loshaj nga organizata “Pishtarët” nuk e kupton heshtjen e ministrit të ri në raport me kompaninë “Kelkos”.
“Duke i parë shkatërrimet që i kanë bërë, është e ditur se ‘Kelkos’ nuk është në rend për leje mjedisore. Edhe ata vetë janë të vetëdijshëm se nuk janë të pranueshme, kështu nuk do të jetë vështirë që ky proces administrativ të mbyllet menjëherë dhe të fillohet procesi sipas ligjit dhe me bashkëpunim të plotë me publikun”, ka thënë Loshaj.
Sipas saj, së pari duhet të bëhet studimi i dëmeve, të fillohet me rehabilitim të mundshëm, të kompensohen dëmet dhe të zbatohet kontrata me Komunën e Deçanit.
“Vetëm kur të arrihen këto dhe ‘Kelkosi’ e dëshmon se mund të operojë ligjshëm, atëherë mund të aplikojë për leje ujore, mjedisore apo leje të tjera. Çdo qasje tjetër, që nuk fillon nga mbrojtja e mjedisit dhe interesit publik është vazhdimësi dhe miratim i krimeve të kaluara”, ka thënë ajo.
KOHA ka kërkuar nga MMPHI-ja përgjigje rreth kësaj çështjeje, por nuk është përgjigjur që nga e enjtja.
Ministria vitin e kaluar kishte lëshuar leje mjedisore për dy hidrocentrale të “Kelkos-it”, “Deçani” dhe “Belleja”.
Por, për këtë të fundit Muharrem Lulaj thotë se nuk e kupton se si ndodhi, pasi, siç thotë, nga viti 2013 e ka paditur kompaninë për ndërtim në pronë të tij, Komunën e Deçanit dhe Agjencinë e Pyjeve.
“Unë nuk e kuptoj se si është marrë vendimi për t’u lëshuar kjo, kur lënda është e papërfunduar në gjykatë. Do të duhej të përfundonte lënda e pastaj të merrej vendimi. Kjo është bërë në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Lulaj.
KOHA kishte raportuar se si ish-ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, kishte kërkuar që të shqyrtohet kërkesa e kompanisë “Kelkos”, pasi në të kundërtën, sipas tij, rrezikohej që të lënda të shkonte në Arbitrazh.
E-maili u ishte drejtuar sekretarit të Ministrisë dhe tre drejtorëve të këtij dikasteri, pas takimit që kishte zhvilluar Kuçi me përfaqësues të kompanisë “Kelkos Energy” më 9 tetor 2020.
Në këtë e-mail që ka siguruar KOHA, e që është klasifikuar si konfidencial, ish-ministri iu shkruan atyre duke thënë se si Qeveri rrezikojnë të shkojnë në Arbitrazh nëse nuk marrin “veprime”.
“Me qëllim të shmangies me këtë ballafaqim dhe konsekuencave të tjera diplomatike të nivelit të lartë, ministri kërkon nga departamentet përkatëse: Departamenti i Ndërtimit, Departamenti i Mjedisit dhe Ujërave dhe ARPL-ja, të punojnë për përgjigje definitive deri të hënën në ora 10:00 paradite”, thuhet në e-mail.
Kuçi kishte kërkuar që të punohet edhe gjatë ditëve të vikendit pasi siç shkruan aty çështja është serioze dhe duhet rezultat final deri më 12 tetor 2020.
Në fund kishte kërkuar nga sekretari që të jetë në dispozicion pasi kërkohet edhe angazhimi i tij.
Lejet për këto hidrocentrale dhe hidrocentralet e tjera ekzistuese janë duke u shqyrtuar nga Komisioni për Hidrocentrale i themeluar nga ministri i ri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Për shkelje në licencim të hidrocentraleve është larguar nga puna në fund të majit drejtori i Autoritetit Rajonal për Pellgje Lumore, Gani Berisha.
Komisioni Disiplinor i kësaj ministrie ka marrë vendim për largimin e tij nga puna me arsyetimin për shkelje të rënda të detyrës zyrtare.
Në vendim konstatohen shkeljet që janë bërë gjatë licencimit të hidrocentraleve, si dhe ato për mosarkëtimin e tarifës nga ambalazhuesit e ujit.
Vendimi thotë se lejet ujore për hidrocentrale të lëshuara nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore janë bërë në kundërshtim me Ligjin për ujëra dhe legjislacionin në fuqi.
“Leje ujore të lëshuara me rekomandim të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, për HC ‘Lumbardhi II’, për operatorin ekonomik ‘Kelkos Energjy’, HC ‘Sharri’ për operatorin ekonomik ‘Matkos Group’, ‘HC Bellaja’ dhe ‘Deçani’ të KELKOS-it dhe HC ‘Orçusha’ për operatorin ekonomik ‘Renelual Tahiri’ janë lëshuar në kundërshtim me nenet 78 dhe 79 të Ligjit për ujërat e Kosovës”, thuhet në vendim.