Arbëri

MMPH-ja mban jashtëligjshëm katër pozita udhëheqëse me ushtrues detyre

Katër pozita të larta udhëheqëse në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor vazhdojnë të mbahen kundërligjshëm me ushtrues detyre.

Edhe pse Ligji për shërbimin civil dhe Rregullorja për procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil të Republikës së Kosovës thonë se pozita e ushtruesit të detyrës nuk mund të mbahet më shumë se 3 muaj, departamente e agjenci në kuadër të kësaj ministrie udhëhiqen nga 5 muaj deri në 2 vjet me ushtrues detyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Konkurset për këto pozita ishin shpallur disa herë, por kanë dështuar. Dështimin e këtyre konkurseve ministri i këtij dikasteri, Fatmir Matoshi, e ka arsyetuar me mungesën e kandidatëve adekuatë, por edhe shkaku i ankesave në lidhje me këto konkurse.

Megjithatë, burime të gazetës brenda kësaj ministrie kanë bërë të ditur se “shkaku i dështimeve të këtyre konkurseve ka qenë që partnerët e koalicionit kanë dashur që në këto pozita të emërojnë njerëz të vet, për të cilën edhe kanë pasur përplasje mes vete se kë ta vendosin”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)