Barnat për sëmundjet si diabeti, hipertensioni dhe disa antibiotikë mund të merren falas në barnatoren e QKMF-së në Prishtinë, pasi janë pjesë e Listës Esenciale. Por, shumë qytetarë ankohen se nuk janë informuar nga mjekët për këtë mundësi dhe se deri tash i kanë blerë në privat. Drejtori i barnatores në QKMF thotë se është obligim i mjekëve t’i njoftojnë pacientët për këtë mundësi
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë funksionon edhe Barnatorja Qendrore, ku qytetarët mund të marrin falas barnat që mjekët ua përshkruajnë e që janë pjesë e Listës Esenciale.
Por, shumë pacientë nuk janë të informuar për këtë mundësi.
Një grua, që gjatë javës u kontrollua në QMF-në në “Kodër të Diellit”, menjëherë pas vizitës iu drejtua barnatores private për të blerë ilaçe për diabet, zemër dhe një aspirinë, ndonëse të gjitha këto janë pjesë e Listës Esenciale që sigurohen nga shteti.
Sipas saj, mjekët asnjëherë nuk e kanë njoftuar për mundësinë e marrjes falas të shumë barnave.
“Falas hala kërkun s’kom marrë e as s’e di a ka apo ku ka. Unë i pi për sheqer e për zemër, po kurrkush s’m’ka thanë. Qetu kontrollohem, me 120 euro rrnoj, për kijamet”, thotë ajo.
Drejtori i Barnatores në QKMF, Fatos Aliu, konfirmon se barnat për diabet, hipertension dhe zemër janë të përfshira në Listën Esenciale dhe se ka furnizim të rregullt. Ai theksoi se është obligim i mjekëve ta informojnë pacientin për këtë të drejtë.
“Edhe janë në listën esenciale dhe jemi të furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë me këto lloj barnash. Mendoj që shumica e kolegëve e ka informatën se duhet me i njoftuar pacientët se barnat janë në barnatoren tonë, sepse edhe planifikimi për shpenzimin e barnave bëhet bazuar në kërkesat e pacientëve”, thotë Aliu.
KOHA ka kontaktuar me të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë për të kërkuar përgjigje për mosnjoftimin e pacientëve se shumë prej ilaçeve mund t’i marrin falas.
Po ashtu ka vizituar këto qendra, ku shumica e pacientëve pranuan se nuk janë njoftuar nga mjekët për mundësinë e marrjes së ilaçeve falas.
Një nga ta është edhe Gani Niku, që bleu një antibiotik e që është në Listën Esenciale.
“Jo, me pare e bleva 20 euro”, shprehet Niku.
KOHA ka raportuar ditë më parë edhe për depot e stërmbushura me barna, që u ka dalë afati dhe për asgjësimin e tyre, si problem i madh.
Në Depon Qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë ndodhen të grumbulluar 150 tonë barna dhe materiale shpenzuese medicinale të papërdorura e të cilave u ka skaduar afati. Nga kjo sasi ka edhe barna e material që janë pranuar në formë donacioni, përderisa të tjera janë blerë nëpërmjet tenderëve publikë.
Rreth gjysmë milioni euro është kostoja që Ministria e Shëndetësisë e ka paraparë për ta asgjësuar këtë sasi të grumbulluar prej më shumë se një dekade.