Në episodin e 51-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është ish-ministri i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVlahoviq: Zogoviqi, poet që denoncoi padrejtësitë në Kosovë dhe simbol bashkimi mes popujve
Ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ka vlerësuar lart figurën e poetit malazez Radovan Zogoviq, duke e cilësuar si një zë të rrallë që denoncoi padrejtësitë ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Sipas Vlahoviqit, vepra më e rëndësishme e Zogoviqit, “Došljaci – Pjesme Ali Binaka” (“Ardhacakët – vjershat e Ali Binakut”), përbën një reagim të fuqishëm poetik ndaj margjinalizimit dhe padrejtësive sociale, duke e cilësuar atë si një “klithmë” kundër segregacionit dhe trajtimit të padrejtë të popullsisë vendase.
Ai theksoi se kjo vepër, e botuar që në vitin 1937, është një reflektim historik i rëndësishëm dhe një nga analizat më të thella mbi kolonizimin dhe realitetin shoqëror në Kosovë. Ndryshe nga shumë figura historike që perceptohen ndryshe nga palë të ndryshme, sipas Vlahoviqit, Zogoviqi mbetet një figurë që mund të respektohet nga të gjithë.
“Tani, ideja ime për Radovan Zogoviqin është ta vendosim Zogoviqin në majë të Çakorrit po i parafrazoj vargjet e mia: ‘ai është njeri i mirë pavarësisht se nga cila anë e malit zbret njeriu’. Radovan Zogoviqi është i mirë sepse kemi shumë ‘heronj’, gjë që varet nga cila anë i shikon nëse janë heronj, nga cila anë e lumit i shikon, nga cila anë e kodrës i shikon, dhe nga njëra anë dhe nga ana tjetër e Çakorrit, Radovan Zogoviqi është një njeri i madh”, ka thënë Vlahoviq gjatë bisedës në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi.
Vlahoviq vlerësoi gjithashtu përpjekjet për ta sjellë këtë vepër më afër publikut, duke përmendur botimin në tri gjuhë nga diplomati Avni Spahiu.
Vlahoviq: Jashtë Kosovës dihet shumë pak për trajtimin e shqiptarëve nga Serbia ndër vite
Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ka deklaruar se jashtë kufijve të Kosovës dihet shumë pak për mënyrën se si Serbia i ka trajtuar shqiptarët ndër dekada.
Sipas Vlahoviqit, Serbia, që nga viti 1912 e tutje, ka treguar pamundësi dhe mungesë vullneti për t’i integruar shqiptarët dhe për t’i trajtuar ata si qytetarë të barabartë. Ai theksoi se kjo qasje, sipas tij, ka prodhuar zhvillimet që pasuan më vonë në rajon.
Ai shtoi se ekziston një heshtje e qëllimshme politike lidhur me këtë realitet historik, jo vetëm për periudhat para Luftës së Dytë Botërore, por edhe për zhvillimet e mëvonshme që kanë ndikuar në perceptimet aktuale në Serbi dhe Mal të Zi.
Vlahoviq kritikoi gjithashtu forcat që i cilësoi si nacionaliste dhe serbomëdha, duke thënë se ato vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si interpretohet historia dhe marrëdhëniet me shqiptarët.
Duke folur për periudhën pas ndërhyrjes së NATO-s, ai theksoi se Mali i Zi kishte një qasje të re ndaj Kosovës, duke u distancuar nga politikat e mëhershme dhe duke mbajtur një qëndrim neutral.
“Ne thamë se Kosova nuk është problemi ynë dhe se nuk kemi vend në atë tryezë”, u shpreh ai, duke shtuar se Mali i Zi ishte i interesuar për një zgjidhje paqësore dhe demokratike, me respektim të të drejtave të të gjitha komuniteteve.
Sipas tij, ky qëndrim nuk u mirëkuptua gjithmonë, por kishte mbështetje të heshtur nga udhëheqja e atëhershme, përfshirë edhe presidentin Milo Gjukanoviq.
Vlahoviq: Pranimi i mbi 100 mijë refugjatëve nga Kosova, kthesa që e distancoi Malin e Zi nga politika e Millosheviqit
Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ka folur për rolin e Malit të Zi gjatë luftërave të viteve ’90 dhe kthesat që çuan drejt pavarësisë së vendit.
Vlahoviq theksoi se një nga momentet më të rëndësishme ishte pranimi i mbi 100 mijë refugjatëve shqiptarë nga Kosova gjatë ndërhyrjes së NATO-s, duke e cilësuar këtë si një akt të madh human dhe historik për Malin e Zi.
“Mendoj se një nga lëvizjet e autoriteteve malazeze që shpëtoi Malin e Zi dhe e kualifikoi atë për t’u kthyer drejt pavarësisë, në një kuptim historik, është qëndrimi ynë ndaj refugjatëve të luftës, nga Kosova, ndaj më shumë se 100 mijë shqiptarëve etnikë që i pranuam në Mal të Zi, pa asnjë incident nga autoritetet e atëhershme”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky veprim përbën një kontrast të fortë me pjesëmarrjen e mëhershme të malazezëve në agresionin kundër Dubrovnikut, duke e quajtur atë periudhë si një “pjesëmarrje të pafat dhe të turpshme”.
Ai shtoi se Mali i Zi në atë kohë ishte “peng vullnetar”, ku shumë rezervistë shkuan në luftë me bindjen se po mbronin Jugosllavinë, pa e kuptuar kontradiktën e asaj që po ndodhte në terren.
Ai gjithashtu kujtoi se në vitin 2004, si ministër i Jashtëm, kishte kërkuar falje në Zagreb për rolin e rezervistëve malazezë në luftë, duke theksuar se ata ishin keqpërdorur dhe se ajo nuk ishte lufta e Malit të Zi.