Ministria e Industrisë e ka gjobitur KEDS-in me 30 mijë euro për shkak të konstatimit për gjashtë njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.
Siç ka njoftuar Ministria, veprimi u mor në kuadër të punës së komisionit verifikues që u iniciua pas ankesave të qytetarëve për orë të pasakta nëpër njehsorët elektrikë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë verifikimit ishte hasur në sërë njehsorë me afat të skaduar.
Ndërsa nga hetimi i deritashëm i orëve të dyshimta, sipas Ministrisë, rezultatet e deritanishme nga analizat laboratorike të kryera në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës kanë evidentuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar. Ministria ka thënë se për to i ka dorëzuar zyrtarisht KESCO-s për kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar.
Po ashtu është thënë se Komisioni po punon me Prokurorinë dhe organet e hetuesisë për trajtimin e mëtejmë të çështjes.
Gjatë këtij muaji Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të KEDS-it, për të cilët ekziston dyshimi se nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.
Dyshimet u riaktualizuan nga LDK-ja, sekretari organizativ i së cilës, Visar Azemi, bëri të ditur se pas një hulumtimi ka dalë se 87% e njehsorëve regjistrojnë rrymën në kohë të pasaktë.
Pas kësaj, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit krijoi një komisionin, i cili ka konstatuar edhe njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë e edhe devijim të orës, krahasuar me kohën reale.
Në KEDS kanë insistuar se njehsorët matin saktë konsumin e energjisë, dhe kanë theksuar se devijimet e mundshme lidhen vetëm me datën dhe kohën.
Brenda tri ditësh pas ngritjes së dyshimeve dhe formimit të Komisionit nga Ministria janë paraqitur mbi 500 ankesa nga konsumatorët.
KOHA pati raportuar në dhjetor të 2024-s se si banorët e një blloku banesor në Fushë-Kosovë kanë thënë se ora nëpër njehsorë figuron disa orë para ose prapa kohës reale, dhe kësisoj ua pamundëson përpjekjet për kursim. KEDS-i atëkohë pati ftuar qytetarët që të ankohen për këtë çështje. E në qershor të 2023-tës, KOHA pati raportuar se verifikimi i njehsorëve elektrikë nga zyrtarët e Agjencisë së Metrologjisë është bërë në laboratorë të KEDS-it edhe pse kjo ishte praktikë e ndërprerë prej 2019-s, me arsyetimin se përbën shkelje të Ligjit për Metrologji.
Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars, kurse prej orës 08 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator.
Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat.
E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë.