Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në mënyrë selektive ka nënshkruar vendimet për gradimin e tetë diplomatëve, ndërsa pjesa tjetër që ishte propozuar nga komisioni përkatës është anashkaluar. Procesit i janë atribuuar shkelje të shumta për të cilat është kërkuar edhe ndërhyrja e Agjencisë Kundër Korrupsionit
Tetë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë marrë grada diplomatike fundvitin e kaluar nëpërmjet një procesi që është shoqëruar me shkelje të shumta ligjore. Shumica e përfitueseve të gradave nga ministrja Donika Gërvalla edhe në të kaluarën kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Diplomatët e avancuar ndaj të cilëve ka reaguar edhe Shoqata Sindikale, duke e quajtur proces të komprometuar, janë: Faruk Ajeti, Kaltrina Ademi, Fitor Murati, Enis Xhemaili, Mirsada Voca, Jetmira Bërdynaj, Saranda Osmani dhe Drilon Zogaj.
Dosjet e tyre në kuadër të shpalljes së shtatorit të vitit të kaluar janë shqyrtuar me urgjencë. Për disa prej tyre KOHA ka siguruar informacione për shkeljet me rastin e gradimeve ndër vite.
Faruk Ajeti, i cili së fundi u dekretua ambasador në Gjermani, në vitin 2014, nga asistent ekzekutiv në Ambasadën Kosovës në Austri, pa përfillur procedurat ishte caktuar sekretar i tretë dhe ushtrues detyre i ambasadorit. Në vitin 2016 gradohet në sekretarë të dytë, në vitin 2018 në sekretar të parë, derisa në vitin 2021 në këshilltar dhe tani ambasador.
Saranda Osmani, në vitin 2014, me propozim të Komisionit për Gradë dhe Disiplinë, është propozuar sekretare e tretë, në vitin 2016 është propozuar për gradën sekretare e dytë, kurse në vitin 2017 vetëm me rekomandim të drejtorit të përgjithshëm është ngritur në gradën
sekretare e parë dhe njëkohësisht është nxjerrë vendim për emërim në Konsullatën e Përgjithshme me Stamboll.
Enis Xhemaili - në vitin 2015, nga Komisioni për Grada dhe Disiplinë është propozuar për sekretar të dytë, derisa në vitin 2017 pa përfillur procedurat vetëm me rekomandim të drejtorit të përgjithshëm është ngritur në gradën sekretar i parë. Njëkohësisht është caktuar të shërbejë në Ambasadën e Kosovës në Japoni. Në vitin 2021 me propozim të komisionit ministrja Gërvalla e ka graduar në këshilltar.
KOHA ka pyetur në MPJ në lidhje me procesin, por ka munguar përgjigjja. Nga emrat e apostrofuar sqarime ka ofruar vetëm Enis Xhemaili, i cili ka thënë se është graduar sipas ligjit.
“Unë jam punësuar në MPJ me konkurs më 10 maj 2013. Gradën e parë e kam marrë më 2015- sekretarë i dytë. Më 2017, drejtori i përgjithshëm më ka propozuar për gradë në sekretar të parë dhe ajo më është lëshuar. Nga atëherë çdo vit kam parashtruar kërkesë për ngritje në gradë, do të thotë katër vjet, dhe tek sivjet më është dhënë ajo. Ligji mundëson që gradat të ngrihen çdo një vit dhe unë kam bërë disa herë kërkesa”, ka thënë Xhemaili për KOHËN.
Përpjekje për ta ndalur procesin ka bërë Shoqata Sindikale e MPJ-së, e cila dëshmohet nëpërmjet shkresave të shumta. Po ashtu anëtarët e tij nuk janë përfshirë në procesin e gradimit.
Shkeljet së fundi janë denoncuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, derisa me to është njoftuar edhe kryeministri dhe Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme.
“Ngutja e Komisionit për Grada dhe Disiplinë, për të shqyrtuar dosjen e vetëm këtyre personave dhe nënshkrimi i gradave të tyre nga ana e ministres së Punëve të Jashtme vetëm për ta, pa u përfunduar i gjithë procesi i punës së Komisionit, ka krijuar bindjen se kemi pasur të bëjmë me një proces të montuar, të dirigjuar dhe me konflikt të interesit. Janë rekomanduar personat pa analizë të dosjeve nëse i plotësojnë kriteret e punësimit të ligjshëm dhe marrjen e gradave në mënyrë të ligjshme, madje duke i seleksionuar një pjesë të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të cilët kishin shprehur interesimin e tyre për gradim”, thuhet në shkresën e Shoqatës Sindikale.
Duke iu referuar rastit të ambasadorit në Gjermani, Faruk Ajeti, sipas Shoqatës, ai nuk i ka plotësuar kriteret meqë ka qenë në pushim pa pagesë, rrjedhimisht i ka munguar vlerësimi i fundit.
“Rekomandimi dhe nënshkrimi i gradës eventuale mbi gradën paraprake të kundërligjshme pamundëson rishikimin, sepse krijon precedent për të gjitha rastet e tjera. Për fat të keq, ka ndodhur e kundërta nga ajo që kemi theksuar dhe kërkuar”, thuhet në njërën prej shkresave të Shoqatës.
Sipas informacioneve, ndër vite janë shpërndarë 100 grada në mënyrë të kundërligjshme, pa u përmbushur kushti ligjor që propozimet të kalojnë nëpërmjet komisionit përkatës.
Një ditë më herët KOHA ka raportuar për emërimet e paligjshme dhe sistemimin e ish-ambasadorëve e konsujve me çelës politik, të cilëve u ka skaduar mandati, por që MPJ-ja ka vazhduar t’i rehatojë nëpër pozita të ndryshme.